“Njoftova Blinken, BE t’i kërkojë llogari”. Kurti akuzon Lajçak: Skenar kundër Kosovës
Për Albin Kurtin, ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak është bërë palë me Serbinë. Kryeministri i Kosovës shpjegoi arsyet e dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ndërsa akuzoi zyrtarin e Bashkimit Europian se në koordinim me Aleksandër Vuçiç kishin përgatitur një skenar kundër tij dhe se qëllimisht po dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.
“Presidenti i Serbisë dhe Lajçaku reaguan me të njëjtin mendim dhe me njëjtën shpërfillje të koordinuar. Lajçaku dhe Vuçiçi, ishin koordinuar me një qëllim, të bëjnë të pamundurën një skenar në të cilin marrëveshja zbatohet në plotësi. 14 shtator pati një pozicion të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti”, tha Kurti.
Kurti njoftoi se pas takimit, ka dërguar një letër në Uashington, Berlin, Paris dhe Romë, duke detajuar ankesat e tij për punën e Lajçakut në lehtësimin e dialogut. Kryeministri kërkoi nga institucionet e BE-së që t’i kërkojnë llogari Lajçakut, teksa zbuloi një episod brenda takimit të fundit.
Lidhur me masat ndëshkuese që BE i ka vendosur Kosovës, Kurti nënvizoi se pret që ato të hiqen, pasi pretendoi se qeveria e tij ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe se tani situata në Veri është tepër e qetë. Në konferencën për shtyp adresoi dhe kërkesat e vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.