Pesë amerikanët e liruar nga Irani mbërrinë në Doha, SHBA, destinacioni i radhës

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 16:20 | Bota
Pesë amerikanët e liruar nga Irani mbërrinë në Doha,

Pesë amerikanët e liruar nga Irani kanë mbërritur pasditen e së hënës në Doha të Katarit. Nga aty, ata do të nisen për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pesëshja, të cilët u caktuan si të ndaluar gabimisht, u liruan si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në kuadër të së cilës, SHBA do të lirojë 6 miliardë fonde iraniane të ngrira.

Ata u dërguan me një aeroplan të qeverisë së Katarit në Doha. Aeroplani u nis nga aeroporti i Teheranit të hënën pasdite me orën lokale.

Në aeroplan ishin po ashtu dy të afërm të të liruarve së bashku me ambasadorin e Katarit në Tehran.

Lirimi i amerikanëve i jep fund një makthi shumëvjeçar për ata që ishin arrestuar. Tre nga ata që besohet se janë pjesë e marrëveshjes, Emad Shargi, Morad Tahbaz dhe Siamak Namazi, qëndruan pas hekurave për më shumë se pesë vite.

Namazi ishte i burgosur që nga viti 2015. Identiteti i dy amerikanëve të tjerë nuk dihet publikisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos