Prag Shqipëri-Çeki, lulëzon tregu i zi: Biletat ndërrohen me “Smart” apo “iPhone”

Nga A2 CNN
18 Shtator 2023, 12:15 | Futboll
Prag Shqipëri-Çeki, lulëzon tregu i zi: Biletat ndërrohen

Biletat e Kombëtares mbaruan në kohë rekord. Edhe pse pjesa më e madhe e shqiptarëve ankohen se jo vetëm nuk arritën të blinin, por sistemi nuk i lejonte as t’i afroheshin procesit. Në situatën e krijuar ka lulëzuar tregu i zi.

TikTok mbetet platforma virtuale që zëvendëson tregun fizik. Aty ofertat janë nga më të pazakontat. Pagesa “cash” është e pranueshme. Një përdorues pretendon se disponon të paktën 300 bileta mbrapa porte, të cilat i shet me “çmim të arsyeshëm”: vetëm 35 euro, nga 3 mijë lekë që ishte kosto origjinale.

Një tjetër përdorues i TikTok ka nxjerrë në shitje 40 bileta, për 45 euro secila. Çmenduria e çmimeve vijon me bileta që pretendohen të shiten nga 100 apo 150 euro copa, deri në 200 apo 250 euro për çdo vend. Shifra jashtë logjike, sepse as finale e Champions League nuk kushton kaq shumë.

Më pas ka oferta që duken për të qeshur, por konfirmojnë realitetin aspak të bukur që u krijua rreth ndeshjes së 12 tetorit, ku Shqipëria pret Republikën Çeke në Arenën Kombëtare.

Dikush i ndërron katër bileta me një makinë “Smart”, dikush tjetër pretendon që në këmbim të biletave të marrë “iPhone 15”, që sapo doli në treg. Ka edhe nga ata ofertues që nuk duken seriozë, sepse 4 bileta kërkojnë t’i ndërrojnë me apartament 2+1 në Tiranë.

Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe autoritetet duhet të ndërhyjnë. Hetim kryesisht nga prokuroria, apo evidentimi i shitjeve online nga krimi ekonomik, për të arritur deri te bllokimi i serverave, që do të zbardhte lojën e pisët me biletat e Kombëtares dhe ndjenjat e tifozëve kuqezi.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024