Ernest Muçi është lojtari më në formë i kombëtare shqiptare të futbollit dhe heroi i Legias së Varshavës.
Sulmuesi tiranas ia ka shpërblyer më së miri besimin trajnerit të polakëve që e sheh si pikë kyçe të formacionit, duke shënuar dy golat e radhës për Legia-n në Europë.
Polakët fituan një ndeshje plot emocion në shtëpine tyre në Varshavë përballë një ekipi kualitativ si Aston Villa, të vlefshme për fazën e grupeve të Conference League.
Ishte Muçi njeriu i ndeshjes, pasi tundi dy herë portën e mbrojtur nga portieri kampion i botës, Emiliano Martinez.
Sulmuesi kuqezi e nisi si titullar sfidën dhe në minutën e 26-të shënoi për të çuar rezultatin në 2-1, në favor të Legias.
21-vjeçari do të shënonte edhe në minutën e 51’, golin e dytë personal dhe të tretin për Legian duke e dërguar ekipin në avantazh.
Goli ishte spektakolar, me Muçin që plot stil rrëmben një top në mesfushë dhe i vetëm përballë 3 kundërshtarëve driblon për të çuar më pas me të majtën topin në rrjetë.
Ky gol mjaftoi që polakët të fitonin sfidën e parë të grupit të tyre kualifikues. (A2 Televizion)