Pas 4 muajsh procesi gjyqësor dhe 2 javësh e tërhequr në dhomën e këshillimit, Gjykata e Posaçme u bind se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është korruptuar, ka shpërdoruar detyrën dhe ka pastruar para gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të inceneratorit të Fierit.
Pasi e deklaroi fajtor për të tre këto vepra, treshja gjykuese dha një dënim me 10 vite burg për ish-ministrin, që kishte zgjedhur të mos ishte prezent në sallë gjatë shpalljes së verdiktit. Koka dhe të gjithë të bashkëpandehurit fajtorë përfituan uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për ish-sekretarin e Përgjithshëm të tij në Ministrinë e Mjedisit, njëkohësisht ish-deputeti i PS, Alqi Bllako, gjykata dha një dënim me 4 vite burg, 3 vjet më pak se dënimi i kërkuar nga SPAK. Për të gjykata rikualifikoi akuzën, duke i hequr bashkëpunimin nga “shpërdorimit të detyrës”.
Lefter Koka: 10 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 6 vite e 8 muaj
Alqi Bllako: 4 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite e 8 muaj
Klodian Zoto: 12 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 8 vite
Arben Dervishaj shpallet i pafajshëm
Arjola Kodra shpallet e pafajshme
Pellumb Abeshi: 3 vite e 6 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite e 4 muaj
Florian Muçaj: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
Azem Shatëri: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
Erjon Murataj: 3 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 2 vite
Sabina Cenameri: 3 vite burg (pezullim dënimi, për shkak se ka një fëmijë të mitur)
Loran Dusha: 7 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 4 vite e 8 muaj
Arbër Denizi: 7 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 4 vite e 8 muaj
Juri Imeraj shpallet i pafajshëm
Regan Merdani: 3 vite burg (pezullim dënimi)
Gentian Zifla: 3 vite burg (pezullim dënimi)
Biznesmeni zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “pastrim të parave”.
I pandehuri Arben Dervishaj, ish-zv.president i FSHF, mbikëqyrës i punimeve në incenerator, fitoi pafajësi për të dy akuzat. Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij nga qelia. Pafajësi mbi çdo akuzë morën edhe të pandehurit Arjola Kodra dhe Juri Imeraj.
Nxjerrjen nga qelitë e paraburgimit gjykata e urdhëroi edhe për 5 të pandehur të tjerë, kryesisht ish-anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit. Ndonëse për ta u dhanë dënime nga 3 në 3 vite e 5 muaj burg, u vendos pezullimi i dënimit me burg, ose koha e qëndrimit në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë.
Kompania koncesionare e inceneratorit të Fierit, “Integrated Technology Services” sh.p.k, e pandehur si person juridik në proces u deklarua pa faj dhe gjykata e liroi atë nga masa e sekuestros.
Në lidhje me kërkesat për konfiskim, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK vetëm për një pasuri “njësi” me sipërfaqe 789 m2 të të pandehurit Lefter Koka. Çdo pasuri tjetër e bllokuar, përfshi 3 pasuri të patundshme të Kokës dhe një apartament i Alqi Bllakos u liruan nga masa e sekuestros.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, për favorizimin e kompanisë koncesionare, ish-ministri Lefter Koka kishte përfituar 1,2 milionë euro ryshfet, ndërsa i pandehuri Alqi Bllako 14 milionë lekë. Ndërsa kompania koncesionare akuzohej të kishte përfituar përmes mashtrimit 4 milionë euro nga buxheti i shtetit. (A2 Televizion)