Nga tifozë në turistë, ndeshja Shqipëri-Çeki si mundësi për të joshur më shumë pushues çekë

Nga A2 CNN
12 Tetor 2023, 13:55 | Aktualitet
Nga tifozë në turistë, ndeshja Shqipëri-Çeki si

Shqipërinë e vizituan rreth 42 mijë turistë çekë në harkun e muajve janar-gusht. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë hyrjet nga Çekia janë zgjeruar me mbi 43 për qind.

Me gjithë verën e lënë pas, vizitorët nga shteti në Evropën Qendrore vijojnë të vijnë në Shqipëri. Jan është njëri prej tyre.

“Kam rreth gjysmë ore që kam ardhur. Jemi një grup nga Çekia. Do të rrimë sot këtu në Tiranë dhe për dy javët e ardhshme planifikojmë të vizitojmë kryesisht veriun e vendit.”

Të njohur si pushues me shpenzime mesatare kryesisht, të interesuar për ushqimin autokton, birrat dhe verën nga kantinat në vend, çekët shihen si potencial që duhet shfrytëzuar nga operatorët turistikë.

“Turistët çekë kanë vite që vijnë. Kryesisht janë turistë të aventurës që vizitojnë zonat malore. Pronotimet nga ata zgjasin deri në fillim të nëntorit.”

Joshja e tyre mund të bëhet edhe më e thjeshtë pas sfidën me Shqipërinë, të cilën pritet ta ndjekin mbi 1 mijë tifozë çekë.

“Ndeshjet janë promovimi më i mirë i një shteti dhe ne me anë të tyre tërheqim shumë tifozë të cilët më pas mund të kthehen në turistë. Gjithnjë duke respektuar parimin cilësi/çmim.”

Operatorët turistikë presin që numri i turistëve nga Republika Çeke vitin e ardhshëm të arrijë në 100 mijë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi