Pranvera e këtij viti do të shënojë fundin e pandemisë së koronavirusit. Dobësimi i valës “Omicron” ka filluar të ndihet dhe më e dukshme do të jetë në mars. Por vendimi për shpalljen e endemisë nuk është më çështje e mjekësisë. “Pandemia nis gjithmonë me një problem, me një patogjen, por mbaron gjithmonë si një normë sociale dhe politike”, thotë për A2 CNN epidemiologu Ilir Alimehmeti. “Mendoj që në pranverë, shumë nga shtetet por edhe OBSH mund të caktojë të deklasifikojë situatën jashtë fazës akute. Patjetër do të kemi raste dhe vatra. Fundin do e prekim që në rast se ne po shohim që shifrat po bien që në shkurt”. Për epidemiologun Alimehmeti, Shqipëria duhet të heqë edhe zyrtarisht masat anti-Covid, vendim që po e shqyrtojnë të gjitha shtetet. (A2 Televizion)