Armëpushimi në rrezik, Izraeli godet Libanin, Irani paralajmëron rifillim sulmesh

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 19:07 | Bota

Armëpushimi në rrezik, Izraeli godet Libanin, Irani paralajmëron

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, pasi ushtria izraelite ka kryer sulme të reja në Liban mëngjesin e sotëm, një ditë pasi Irani paralajmëroi se mund të rifillojë veprimet ndaj Izraelit nëse sulmet në jug të Libanit vazhdojnë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, sulmet kanë goditur një zonë banimi në qytetin antik jugor të Tiros, ku një ditë më parë u raportua se sulme të ngjashme kishin shkaktuar të paktën pesë viktima.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Irani dhe Izraeli kanë ndalur përkohësisht sulmet ndaj njëri-tjetrit pas një shkëmbimi raketash ditët e fundit, i cili ngriti frikën për një përshkallëzim të madh të konfliktit. Megjithatë, Teherani ka paralajmëruar se do të rifillojë veprimet nëse ofensiva izraelite në Libanin jugor vijon.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të respektojë një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit dhe Libanit, ndërsa po përpiqet të avancojë një marrëveshje më të gjerë me Iranin në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, Hezbollahu i mbështetur nga Irani nuk ka qenë palë në marrëveshjen e armëpushimit dhe ka deklaruar se nuk do ta pranojë atë për sa kohë që forcat izraelite mbeten në territorin libanez. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos