Grupet e mbështetura nga Turqia përballen me forcat e mbështetura nga SHBA në Siri, i marrin kontrollin e qytetit

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2024, 10:08 | Bota

Grupet e mbështetura nga Turqia përballen me forcat e mbështetura

Grupet siriane të mbështetura nga Turqia kanë marrë kontrollin e një qyteti verior të Sirisë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA, të udhëhequra nga kurdët, ka thënë një burim turk i sigurisë për Reuters.

Sipas mediave të huaja, Manbij, një qytet në provincën lindore të Aleppos, ka qenë skena e luftimeve intensive ditët e fundit midis Ushtrisë Kombëtare Siriane, të mbështetur nga Turqia, dhe SDF.

Të dy kapitalizuan rënien e regjimit të Asadit për të zgjeruar territorin e tyre, pasi tashmë kanë kontrolluar zona të ndryshme të Sirisë veriore.

Kujtojmë se Forcat Demokratike Siriane u formuan nga një aleancë midis Njësive të Mbrojtjes së Popullit të udhëhequr nga kurdët (YPG) dhe grupeve të tjera, të mbështetura nga SHBA, për të luftuar Shtetin Islamik në 2014.

YPG tashmë kishte nën kontroll zona të mëdha të Sirisë verilindore që nga viti 2012, shkruan A2 CNN.

Turqia e sheh YPG-në si të pandashme nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje prej dekadash brenda Turqisë.

Turqia dërgoi trupa në Siri që nga viti 2016 për të larguar grupet kurde dhe Shtetin Islamik nga kufijtë e saj, shkruan A2 CNN.

Ajo përfundimisht formoi disa nga grupet në Ushtrinë Kombëtare Siriane, e cila, e mbështetur nga fuqia e drejtpërdrejtë ushtarake turke, mbajti një pjesë të territorit përgjatë kufirit siriano-turk. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos