Irani rrëzon helikopterin ikonik amerikan, Trump kërcënon me sulme. SHBA në prag të reagimit ushtarak

Nga Xhevahir Qardaku
9 Qershor 2026, 22:26 | Bota

Irani rrëzoi helikopterin ikonik të ushtrisë amerikane dhe Uashingtoni reagon furishëm. Tensione në qiell që gati rikthejnë luftën mes palëve. Presidenti Donald Trump konfirmoi rrëzimin nga Irani të një helikopteri ushtarak amerikan Apache gjatë një patrullimi pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas tij, ushtria amerikane e informoi se incidenti ndodhi pranë brigjeve të Omanit dhe se dy pilotët në bord u shpëtuan pa lëndime nga një dron detar amerikan. Ai theksoi se SHBA-të “duhet, domosdoshmërisht, të përgjigjet ndaj këtij sulmi”, duke lënë të hapur mundësinë e një reagimi ushtarak, shkruan A2.

Megjithatë, burime të ndryshme ushtarake amerikane i thanë CNN se helikopteri dyshohet se është goditur nga një dron iranian, konkretisht një model Shahed, i njohur për aftësinë e tij për të fluturuar ulët dhe ngadalë, duke shmangur sistemet e mbrojtjes ajrore. Një nga zyrtarët shtoi se ende nuk është e qartë nëse helikopteri ishte shënjestruar qëllimisht apo u godit rastësisht gjatë operacionit.

Incidenti shënon humbjen e parë të një helikopteri Apache që nga fillimi i konfliktit aktual me Iranin, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të drejtpërdrejtë ushtarak mes dy vendeve.

Ndërkohë, paralelisht me këtë zhvillim, situata në rajon mbetet e ndezur. Ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme të reja në qytetin libanez të Tirit, duke urdhëruar evakuime të rralla në lagjen e krishterë të qytetit jugor. Irani ka paralajmëruar Izraelin që të mos vazhdojë ofensivën në Liban, duke rritur më tej frikën për zgjerimin e konfliktit në rajon.

Në planin diplomatik, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tel Avivit duket se po kalojnë një fazë tensioni. Ambasadori izraelit në SHBA pranoi se mes dy aleatëve ekzistojnë “disa dallime që duhen zgjidhur”, pas paralajmërimit të Trump ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu se vazhdimi i sulmeve ndaj Iranit mund ta izolojë Izraelin ndërkombëtarisht.

Nga ana tjetër, zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos shkelin marrëveshjet diplomatike, duke sugjeruar se çdo dështim i negociatave mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos