Kina është kthyer në një bazë për furnizimin e Rusisë me armatime nga Koreja e Veriut. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e lajmeve Reuters, e cila pretendon se municionet e Phenianit shkojnë në Rusi nëpërmjet Kinës. Imazhet satelitore të publikuara nga Reuters shfaqin anijen ruse të mallrave, e cila është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, të ankoruar në portin kinez të provincës Zheijang.
Besohet se që nga muaji shkurt, Rusia ka marrë vazhdimisht furnizime me armatime nga Koreja e Veriut nëpërmjet Kinës. Ky ka qenë shqetësimi i Shteteve të Bashkuar, të cilat e kanë paralajmëruar shpeshherë Pekinin për të mos lejuar ankorim të anijeve ruse të sanksionuara nga SHBA-ja në portet kineze. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ka bërë të ditur për Reuters praninë e anijeve ruse në portet kineze dhe për këtë fakt ka lajmëruar autoritete e Pekinit.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtarë të përmbushin detyrimet e tyre sipas Rezolutës 2397 të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta bën të qartë kufizimin e tregtisë me Korenë e Veriut dhe kërkojnë nga shtetet e OKB-së të çregjistrojnë çdo anije të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Anija e sanksionuar nga SHBA-ja në maj 2022, ka kryer të paktën 11 dërgesa me armatime midis portit të Koresë së Veriut dhe porteve ruse nga gushti 2023, sipas Institutit Britanik të Studimeve RUSI, e cila ka gjurmuar lëvizjet e anijes ruse, si pjesë e një projekti për të përdorur të dhëna për të monitoruar furnizimet e dyshimta për ushtrinë ruse. Ambasada e Kinës në Uashington tha se nuk ishte në dijeni të detajeve në lidhje me anijen transportuese. Kina ka bërë të ditur se kundërshton sanksionet e njëanshme dhe juridiksionin afatgjatë që nuk kanë bazë në ligjin ndërkombëtar ose mandat nga Këshilli i Sigurimit". (A2 Televizion)