Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kanë diskutuar mbi zhvillimet në veri të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Pas përfundimit të takimit kryeministri u largua shpejtë nga objekti i qeverisë, duke iu drejtuar Kuvendit për seancën e radhës parlamentare, ndërsa për mediat u ndal të fliste ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Ai edhe njëherë ripërsëriti qëndrimin e SHBA duke thënë se dënojnë ashpër sulmin që ndodhi të premten mbrëma dhe mbështet autoritetet kosovare në kryerjen e hetimeve.
“Sapo përfunduam takimin me kryeministrin Albin Kurti ku diskutuam më shumë rreth sulmit që ndodhi të premten mbrëma. Ajo që mund të them dhe po e rripësirë që ne dënojmë fuqishëm këtë sulm mbi infrastrukturën kritike të Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Sipas Hovenier është herët për të ditur se cilët janë përgjegjësit për sulmin, por theksoji se kushdo qofshin duhet të gjenden dhe mbahen përgjegjës për aktin.
“SHBA mbështet autoritetet kosovare në kryerjen e hetimeve dhe që autorët të gjenden dhe të mbahen përgjegjës. Këto akte dhune janë të pa tolerueshme dhe rrezikojnë qytetarët…”, tha Hovenier.
Hovenier e shmangu një përgjigje konkrete kur u pyet nga gazetarët nëse qëndron apo jo Serbia pas shpërthimit që la pa ujë të pijshëm thuajse gjysmën e Kosovës.
Sipas tij në këtë pikë nuk mund të themi asgjë duke spekuluar, ndaj hetimet duhet të thellohen dhe të kemi një rezultat prej tyre.
“Në këtë pikë SHBA nuk është në pozitë që të thotë se kush qëndron prapa këtij sulmi. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë autoriteteve kosovare për hetimet dhe që autorët të gjenden sa më parë. Nuk jemi në pozitë të spekulojmë për ndonjë grup specifik ose shtet, është ende herët”, u shpreh ambasadori amerikan.
Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së, Avio Orav ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në Ibër-Lepenc, dhe e ka quajtur sabotazh.
Orav nuk tha asgjë më tepër për mediat pas takimit me Kurtin, por theksoi se thirrja e Borrell nga Brukseli ishte e qartë. (A2 Televizion)