Asambleja Parlamentare pro Kosovës në KiE, Bakojanis: Mbroni në çadrën europiane edhe 2 milionë qytetarë

Nga Rosalba Bejdo
16 Prill 2024, 19:51 | Politikë

E gjithë vëmendja ka qenë në Strasburg gjatë kësaj të marte, ku raporti i hartuar nga deputetja greke Dora Bakojanis për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, u votua në Asamblenë Parlamentare të këtij organizmi. Diskutime po mbahen në Asamble, në prag të votimit, ku shumica e deputetëve që morën fjalën e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës.

Bakojanis, tha se, asnjë gur nuk ka mbetur pa u lëkundur në përgatitjen e raportit dhe se është konfirmuar se pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale. Duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojnë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se vendi i përmbush kërkesat bazike për t’iu bashkuar këtij organizmi.

Bakojanis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo duhet të mbetet kompetencë e shteteve. Deputetja greke ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Bakojanis u kërkoi shteteve mosnjohëse, të lejojnë mbrojtjen e 2 milionë kosovareve nën çadrën e BE.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli