“Vizita e Lajçak, jo produktive”, analistët: Dialogu nuk zhbllokohet, ka ngërç të ri

Nga A2 CNN
6 Mars 2024, 21:35 | Politikë

Pavarësisht vizitës në Kosovë të të dërguarit të posaçëm  të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe paralajmërimeve për një takim të ri mes kryenegociatorëve në Bruksel, pritshmëritë për rezultate në dialog e gjithashtu për gjetjen e një zgjidhje lidhur me dinarin, janë minimale. Kështu mendojnë analistët në Prishtinë, sipas të cilëve procesi ka hyrë në një ngërç të ri dhe s’ka asnjë tregues se situata po shkon drejt zgjidhjes.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj, thotë për KosovaPress se qeveritarët kanë gabuar që nuk kanë dëgjuar këshillat e amerikanëve për shtyrje të vendimit për dinarin, që ka bllokuar edhe procesin e dialogut.

“Për aq kohë sa nuk kame u jep një zgjidhje për çështjen e dinarit mendoj se s’ka me pas dialog dheas diskutim për zbatim të marrëveshjes bazë. Takimi i djeshëm temë kryesore ka qenë çështja e dinarit, me shumë gjasë edhe takimi i ardhshëm që pritet të organizohet në Bruksel mes dy kryesuesve të dy delegacioneve do të jetë temë e diskutimit dinari. Kur t’i jepet zgjidhje problemit të dinarit, atëherë mendoj se presioni do të kthehet prapë te marrëveshja bazë, zbatimi i saj që lidhet me kryerjen e obligimeve nga dy palët”.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress se vizita e Lajçak në Prishtinë është më shumë në vazhdën e përpjekjeve të tij për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Por ai shton se pa një sekuencim të qartë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes nuk pret që të ndodh një gjë e tillë.

“Ai me siguri që do të provojë maksimalisht të shtyjë përpara çështjen e të ashtuquajturës marrëveshje bazike, apo pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër, që faktikisht Kosova e ka dhënë Po-në e vet, pavarësisht faktit se nuk ka nënshkrim. Lajcak e ka pjesë e vet të mandatit të mbetur dhe do të insistojë në jetësimin e pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër”, deklaron ai.

Lajçak vizitoi të martën Kosovën, ku është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Pas takimit, ai tha se do të dëshironin të shihnin përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos