Studiuesja dhe bioteknologia shqiptare Erisa Putro është pjesë e një ekipi kërkimor në Universitetin Sapienza të Italisë, i cili ka realizuar një zbulim të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të pankreasit, një nga format më agresive të sëmundjeve tumorale.
Në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, Putro shpjegoi se studimi i publikuar së fundmi analizon mënyrën se si qelizat tumorale reagojnë ndaj kimioterapisë dhe fokusohet te një molekulë që synon një mutacion të veçantë gjenetik, i pranishëm shpesh te tumoret e pankreasit.
Po ashtu Putro theksoi se moshat mbi 50 vjeç janë më të rrezikuar nga kanceri i pankreasit, por nuk përjashtohen më të rinjtë.
“Ka qenë studimi i fundit që kemi publikuar, ku shohim se si qelizat tumorale përgjigjen ndaj kimioterapisë. Nga kur kam marrë pjesë unë ka një vit, por ka filluar më përpara studimi. Studimi bënte fjalë për molekulë që synon mutacionin në gjenin kras, që është një nga gjenet me mutacionet më të shpeshtë në tumore, sidomos në pankreas. Shfaqet nga mosha 50 e sipër, por nuk do të thotë që moshat e reja nuk ka raste. Studimi është akoma në fazat e para. Po synojmë të bllokojmë edhe molekulën që kemi zbuluar ne, edhe mutacionet që ndodhin, për ta bërë në një gjendje më të fjetur. Është shumë herët për të folur për kalimin në pacientë, por besoj fillimisht në Itali, dhe mandej edhe më gjerë”, u shpreh ajo. (A2 Televizion)