Në tre vitet e fundit, blegtoria ka pësuar një goditje të fortë. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë për një pakësim të ndjeshëm të numrit të krerëve dhe prodhimit të qumështit. Numri i gjedhëve në vitin 2019 është 415.609 krerë, duke shënuar rënie me 11,07 % kundrejt një viti më parë. Teksa prodhimi i qumështit ka zbritur në 1.1 milionë ton, duke shënuar një rënie me 2.81 %, në krahasim me vitin 2018. Një ecuri shqetësuese e sektorit të blegtorisë, që sipas ekspertëve vjen si pasojë e tre faktorëve: e para është niveli i lartë i emigracionit, por edhe migrimit të brendshëm. Sot ka gjithmonë e më pak njerëz që duan të merren me blegtori e kjo është shqetësuese, pasi lidhet direkt me cilësinë e ushqimeve. E dyta, është niveli i ulët i subvencioneve, ndërsa si faktor i tretë vlerësohet edhe ulja e TVSH nga 20% në 6%, çka ka nxitur fabrikat e përpunimit që qumështit që të kenë më shumë leverdi që të marrin qumësht importi sesa prodhimin vendas të fermerëve. Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë e vlerësojnë shqetësuese situatën, teksa deklarojnë se do të synohet nxitja e blegtorisë nëpërmjet subvencioneve. Për të folur për këtë temë ishte i ftuar në A2 Business Ervin Resuli, ekspert për bujqësinë. (A2 Televizion)
Sfidat dhe problemet e sektorit të blegtorisë
