Një moment emocionues ka shoqëruar edicionin e këtij viti të Wave Festival, ku këngëtari Durim Tahirukaj i ka propozuar për martesë partneres së tij, këngëtares dhe alpinistes Drenica Zogaj, përpara qindra spektatorëve të pranishëm.
I ftuar së bashku me Drenicën në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, çifti ka rrëfyer emocionet e përjetuara gjatë këtij momenti të veçantë.
Drenica Zogaj tregoi se propozimi ishte krejtësisht i papritur për të.
“Nuk e kam pritur që do të ndodhte. Kemi biseduar rreth propozimeve dhe gjithmonë Durimi ka treguar që nuk është person romantik dhe që jam pajtuar me fatin që s’ka për të ndodhë ndonjëherë propozimi. Në momentin që ka ndodhur, përgjigjja ime ka qenë: ‘A e ke seriozisht?! Apo po më bën prank?’ Më është dashur dy ditë ta procesoj çfarë ka ndodhur realisht dhe tani mbaj unazën në gisht”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, Durim Tahirukaj zbuloi se ideja për propozimin kishte lindur shumë kohë më parë dhe se fillimisht kishte planifikuar ta realizonte gjatë një ngjitjeje në mal.
“Do t’u tregoj disa detaje që as Drenica s’i di. E kam menduar propozimin që para një viti për një vend tjetër, në profesionin tjetër si alpinist. E kam menduar kur të mbërrinim majën t’i propozoja. Por atë ditë nuk ndodhi sepse nuk shkuan gjërat siç i mendova. Menjëherë pas asaj u lidhëm më shumë. Edhe tani ishte momenti tipik për të ndodhur. Gjatë gjithë kohës i kam thënë që do fejohemi me një ceremoni, por jo me propozime e kështu. Nuk e ka pritur hiç”, tha këngëtari.
(A2 Televizion)