Ligji për tatimin e profesioneve të lira, "Kushtetuesja" ende pa vendim përfundimtar! Paditësit 3 ditë kohë për prova shtesë

Nga A2 CNN
18 Qershor 2024, 17:05 | Aktualitet

“Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim pasi nuk evidentohen pasoja të pariparueshme dhe gjithashtu në konsideratë të faktit që procesi është duke u gjykuar me përparësi.”

Pas shtatë orë diskutime, mbushur nga argumente dhe kundër-argumente, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën  për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat.”

“Gjykata e konsultuar më parë cakton që palët të depozitojnë parashtrimet, provat (nëse kanë, provat që u kërkuan apo përgjigjet e pyetjeve që u administruan në seancë brenda datës 21.06.2024 ora 16:00, pra dita e premte. Ndërkohës seanca e radhës për konkluzionet përfundimtare është lënë për datën 25 qershor, ora 10:00”, tha Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën e hapur publike në kushtetuese që nisi në orën 10:00 të mëngjesit, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike parashtroi edhe argumentet në favor të shfuqizimit të ligjit që taton të vetë-punësuarit.

“Nga data e miratimit të këtij ligji, pra nda data 1 prill 2023 e deri më 1 prill 2024 kanë pezulluar aktivitetin e tyre 10 mijë e 407 subjekte. Kanë kaluar në likuidim 275 subjekte dhe ka shpallur falimentin një subjekt. Pra në total janë rreth 11 mijë subjekte sipas QKB-së që kanë pezulluar apo likuiduar aktivitetin e tyre”, deklaroi Marash Logu, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike.

Duke shfrytëzuar një nga pushimet e mesditës deputetja demokrate, Jorida Tabaku përsëriti edhe para gazetarëve argumentet që parashtroi pa trupës së anëtarëve të Kushtetueses pak më herët.

“Ligji i tatimeve në këto 10 vite është ndryshuar 23 herë që do të thotë 2.3 herë në vit për çdo vit duke krijuar një pasiguri juridike nga një anë dhe nga ana tjetër  duke krijuar një trajtim prefercial për një pakicë që  është duke u përjashtuar nga taksat. Favore fiskale po i jepen  grupeve që nuk përbëjnë shumicën ndërkohë që 169 profesione të lira po paguajnë një tatim të padrejtë”, deklaroi Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.

Në linjë të njëjtë me argumentet e parashtruara gjatë hartimit të ligjit, drejtori i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave, Niko Lera e konsideroi taksimin e profesioneve e lira si “fundin e parajsës fiskale në Shqipëri.”

“Nuk mund të jetë parajsë fiskale Shqipëria, me përjashtim në pafundësi vitesh të ketë  të taksave për kategori të caktuara”. Të ardhurat e vetëdeklaruara nga shërbimet, nga këto grupe, nuk janë taksuar. Në 4 vjet, të ardhurat e tyre janë 2,6 mld dollarë”, tha Nikolla Lera, drejtori i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave.

Në seancën e së martës, Gjykata Kushtetuese bashkoi dhe shqyrtoi në një të vetme paditë e 37 deputetëve të Partisë Demokratike, shoqatave “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” e

“Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” dhe Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Janë mbi 29 mijë profesionistë sipas tatimeve që preken nga ligji i ri hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe nga tatimi me fasha 15 për qind kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23 për qind kush fiton mbi këtë shumë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024