Mandati i Xhaçkës sot në Kushtetuese, Bardhi: Gjykata u sfidua nga Kuvendi, u cenua stabiliteti

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 10:55 | Aktualitet

Mandati i Xhaçkës sot në Kushtetuese, Bardhi: Gjykata u sfidua

Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot padinë e Partisë Demokratike për mandatin e Olta Xhaçkës.

Më 11 prill, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj. Ndërsa më datën 24 prill 2024 një grup prej 44 deputetësh të kuvendit iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar këtë vendim dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të këtij vendimi.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, parashtroi para trupës gjykuese arsyet se përse u vendos ndjekja e kësaj çështjeje, ndërsa shtoi se Kuvendi me mos zbatimin e vendimit të parë, sfidoi Gjykatën Kushtetuese.

“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë. Ishim të dyzuar nëse duhet të vinim në Gjykatën Kushtetuese apo t’i lëmë turpin e kësaj çështjeje mazhorancës. Vlerësuam që po duhej të vinte sepse sfida ndaj autoritetit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vetëm dinjiteti por e çdo ligjvënësi betuar në Kushtetutë. Është në dorën tuaj nëse do të duhej të mbrojë autoritetin dhe dinjitetin e kësaj godine. Ne si deputetë të pakicës kemi bërë detyrën tonë, e sollëm në Gjykatë Kushtetuese. Në momentin që Gjykata Kushtetuese na jep të drejtë dhe Kuvendi thotë se pavarësisht se ju ka dhënë të drejtë Gjykata Kushtetuese e Kushtetuta ne vendosim t’ju injorojmë këtu është cenuar stabiliteti, mundësia për bashkëjetesë sipas rregullave që përcakton Kushtetuta dhe paqja sociale”, tha ai.

Opozita kërkoi dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese që në vjeshtën e vitit 2022, pasi e akuzon se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024