Studimi për imunizimin nga Covid-19, KLSH: Kushtoi 240 mijë euro, më shumë se gjysma e parave nuk justifikohen

Nga Marjo Brakaj
21 Qershor 2024, 16:01 | Ekonomi

Studimi në emër të Akademisë së Shkencave gjatë periudhës së pandemisë mbi shkallën e imunizimit të popullatës nga Covid-19 kushtoi më shumë se 240 mijë euro dhe më shumë se gjysma e këtyre parave nuk arrihet të justifikohen.

Gjithashtu studimi që tregoi se në ato kohë ishte imunizuar 6 deri në 7 për qind e popullatës rezulton të jetë kryer pa konsulta me institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apo Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë përfundim ka dalë kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditit të kryer në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

“Nga auditimi u konstatua se, dy nga tre urdhër shpenzimet rezultonin pa gjurmë të dokumentit të aktit të marrjes në dorëzim. Sa i takon procedurës së kalimit të materialeve dhe kiteve nga magazina në qendra shëndetësore dhe persona përkatës mungon gjurma dokumentare e nxjerrjes së aktiveve nga magazina”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr në pah edhe faktin se për kryerjen e studimit mbi shkallën e infektimit dhe imunizimit nga Covid-19, të dhënat në fakt u morën nga Banka Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
me citim, Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Rrjedhimisht kjo sjell mospërputhje mes objektit të kryerjes së studimit për të cilin janë blerë materiale për testimin e gjakut, pasi këto mostra janë marr të gatshme nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe nuk argumentohet nevoja e blerjes së pajisjeve dhe materialeve për kryerjen e testimeve apo të pagimit të infermiereve për marrjen e gjakut nga pacientët”.

Veç shpenzimeve, KLSH ka gjetur probleme në Akademinë e Shkencave dhe në drejtim të kritereve që anëtarët e Akademisë së të rinjve duhet të kenë.

“Mandati i anëtarëve ndërpritet në moshën 40-vjecare, nga ku 6 prej anëtarëve deri në 2023 kanë vazhduar të jenë pjesë e akademisë deri në vendimin nr.65, datë 16.11.2023 “Për përbërjen e komisionit për konkursin e pranimit të anëtarëve të rinj në Akademinë e të Rinjve”. Mandati i 6 prej anëtarëve ka vazhduar mbi moshën e përcaktuar, kjo në kundërshtim me nenin 20, pikën 1 të Ligjit Nr.53/201”.

Në raportin e KLSH nxirret në pah edhe fakti që vetëm për qiranë e godinës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vitin e shkuar u shpenzuan gati 11.4 milionë lekë. që nga viti 1996, nga buxheti i shtetit kanë dalë gati 135 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos