Nga cilësia e arsimit te fakorët socialë dhe ekonomikë, ekspertja tregon shkaqet e uljes së numrit të ekselentëve dhe rritjen e mbetësve

Nga A2 CNN
17 Qershor 2024, 09:22 | Aktualitet

Cilësia e arsimit dhe faktorët socialë dhe ekonomikë janë dy shkaqet kryesore që kanë ndikuar në uljen e ndjeshme të numrit të ekselentëve në Maturën Shtetërore dhe rritjen e numrit të mbetësve. Kështu është shprehur për "Dita jonë", ekspertja e arsimit Ana Llazo, sipas të cilës, mësuesit duhet të jenë të mirëtrajnuar me metodat e reja të mësimdhënies.

“Së pari është cilësia e arsimit, mungon materiali didaktik, laboratorët, mënyrat e vjetëruara të mësimdhënies dhe një pjesë e mësuesve duhet të jenë të mirëtrajnuar për metodat e mësimdhënes. Së dyti janë faktorët socialë dhe ekonomikë të maturantëve, që ndikojnë në uljen e ekselentëve dhe rritjen e mbetësve”.

Diferenca e theksuar e ekselentëve në anglisht në krahasim me gjuhën shqipe, për eksperten Llazo vjen nga fakti se ndër vite nuk i është kushtuar rëndësia e duhur gjuhës shqipe dhe futja e saj vonë në gjimnaz.

“Është një rezultat që ndodh prej vitesh dhe ndër vite nuk i është kushtuar rëndësia e duhur gjuhës shqipe, ndikon dhe fakti që shumë të rinj e shohin gjuhën e huaj si faktor kryesor që do t’i ndihmojë për t’u punësuar diku apo edhe në rrugën e emigrimit dhe investojnë më shumë. Kjo është një ide e gabuar. Një faktor tjetër është që gjuha shqipe është futur shumë vonë në gjimnaz, duhet të futej më herët që të rinjtë të fokusoheshin më shumë te gjuha shqipe”.

Shqetësimi për uljen e numrit të maturantëve, për eksperten është një kambanë alarmi për sistemin arsimor.

“Ulja e numrit të maturantëve është një kambanë alarmi për sistemin tonë arsimor. E shoh si faktor negativ për largimin e të rinjve që shohin rrugën e emigrimit. Dhe këtë do ta lidhja me faktorin ekonomik, me cilësinë e arsimit dhe mundësitë që ofron Shqipëria pas përfundimit të ciklit të studimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos