Policia e Tiranës nuk ka ende një pistë konkrete për atentatit me 4 të plagosur që ndodhi në Lundër mbrëmjen e të enjtes. Sipas asaj që A2 CNN ka mësuar, hetuesit kanë dyshime të forta se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv. Burime thonë se objektivi i atentatorëve ka qenë një grua e një personi me precedentë të theksuar kriminal, identiteti i së cilës ende nuk është bërë i ditur.
Ky version bëhet edhe më i mundshëm për faktin se të plagosurit janë të gjithë persona pa precedentë penalë. Në deklarimet e tyre për policinë, edhe pse të shtruar në spital, 34-vjeçari Arens Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullaj kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt. Mullaj studionte në Londër dhe kishte 3 ditë që ishte kthyer në Shqipëri për pashkët.
Nga breshëria e plumbave - Policia ka gjetur në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja - të plagosur rëndë kanë mbetur edhe dy të miturit, 17-vjeçari Marko Bardhi Demiraj dhe 11-vjeçari Dior Demiraj, shkruan A2 CNN.
Pasi është qëlluar në drejtim të tij, shoferi i mjetit, 34-vjeçari Stafa, ka kryer manovra me makinën për t’i shpëtuar plumbave, por është përplasur me një mjet tjetër në lëvizje.
A2 CNN mëson se 11-vjeçari Dior Demiraj ndodhet në gjendje kritike për jetën. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i mituri ka marrë një plumb në kraharor dhe, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët.
Stafa dhe Mullaj kanë pësuar plagë nga armë zjarri në krah dhe dorë. Ata janë shtruar në pavion dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ndërsa i plagosuri tjetër, 17-vjeçari Marko Demiraj, është qëlluar me plumba në bark dhe këmbë. Ai është transportuar nga prindërit e tij në një spital privat, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas burimeve mjekësore, edhe pse ndërhyrja ka qenë e suksesshme, mbetet për t'u parë si do të evoluojë gjendja e tij në ditët në vijim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. (A2 Televizion)