Tre makina të djegura dhe të gjithë banorët e evakuuar. Ky është bilanci i zjarrit që ra pasditen e sotme në katin nëntokë të kompleksit “Kika” në zonën e Komunës së Parisit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se flakët pas rreth një ore u vunë nën kontroll nga 2 mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë zjarrfikës.
Bëhet me dije se janë djegur nga zjarri 3 automjete të parkuara, banorët janë evakuuar dhe situata nuk paraqet rrezik për njerëzit. A2 CNN mëson nga burime se janë asfiksuar lehtë 4 persona.
“Ka ende prezencë tymi dhe paraprakisht dyshohet se shkaku është një shkëndijë elektrike”, thuhet më tej në njoftim.
Sakaq, strukturat e MZSH dhe efektivë të policisë po vijojnë veprimet në vendngjarje për të garantuar sigurinë dhe hetimin e plotë të rrethanave.
(A2 Televizion)