Gazetari 'zë ngushtë' deputetin Qefalia: E kam kërkuar programin e PS, por nuk e kam gjetur!

Nga A2 CNN
25 Janar 2025, 20:43 | Politikë

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia është zënë ngushtë nga moderator Andrea Danglli në studion e “Off the Record” në A2 CNN, kur u pyet rreth meritokracisë dhe prurjeve të reja në këtë forcë politike, por edhe rreth programit me të cilin do t’i prezantohen shqiptarëve në fushatë për zgjedhjet e 11 majit.

I vendosur përballë faktit se nuk ka pasur një program konkret të PS për zgjedhjet e 2017 dhe 2021, Qefalia u kundërpërgjigj duke thënë se mazhoranca aktuale ka realizuar reformën në drejtësi, arsim dhe fushën e sigurisë.

Sa i përket çështjes së emigrimit masiv të shqiptarëve, Qefalia tha se nuk mund të përdoret teza e ndikimit të keqqeverisjes, pasi jetojmë në kohën kur kufijtë janë të hapur dhe të rinjtë mund të zgjedhin të largohen për aspirata më të mira.

Por deputeti i PS e pranoi se vala e emigrimit nuk mund të ndalet, pavarësisht politikave që qeveria ka ndërmarrë për të përmirësuar kushtet e punës dhe pagesat për të rinjtë.

“Ka njerëz që janë larguar sepse mendojnë për një aspiratë më të mirë. Siç ka edhe grekë, edhe spanjollë që ikin. Nuk mund të vëmë shenja barazimi midis shteteve, por kjo hemorragji nuk mund të ndalohet, pasi kufijtë e Shqipërisë nuk janë më të izoluar, por natyrisht bëhen përpjekje të vazhdueshme, qoftë me rritjen e pagave, qoftë me ngritjen e nivelit të administratës në mënyrë që gjithkush ta gjejë veten në Shqipëri.”

DEBATI:

Qefalia: Hapje partie ka. Në momentin që PS hapi procesin për pranimet e reja pati një fluks të jashtëzakonshëm. Brenda një periudhe të shkurtër numri shkoi gati në 35 mijë anëtarë. Jo anëtarë thjesht për të mbushur listat, por anëtarë me kapacitete, intelektualë, të rinj, të reja që aderojnë te PS sepse e shohin si të vetme mundësi që jo vetëm të bëjnë politikë, por edhe për të sjellë progresin e vendit. Pranimet e fundit ka pasur kapacitete intelektuale nga fusha të ndryshme, si inxhinierë, mjekë. Të cilët nuk kanë ardhur vetëm të zënë vendin në listat e PS por kanë sjellë produktin intelektual për hartimin e programit të PS.

Moderatori: Cili program zoti Qefalia se s’kemi parë gjë program?

Qefalia: Programi elektoral, fushata elektorale starton e përcaktuar në bazë të Kodit Zgjedhor.

Moderatori: Të paktën të dimë atë të vitit 2021 dhe të vitit 2017 se kemi akoma atë të 2013 dhe fjalimet e zotit Rama!

Qefalia: Fakti që qytetarët shqiptarë e votuan këtë mazhorancë dhe lidershipin e saj, e subjektin PS, është tregues i qartë se ka pasur vendimmarrje për të konkretizuar ato premtime që kemi dhënë.

Moderatori: Çfarë ka pasur realisht në programin e PS, se e kam kërkuar vërtetë një program të vitit 2021 por nuk e kam gjetur fizikisht? Mund të ketë pamflete të ndryshme por...

Qefalia: Programi nuk është ajo që kërkoni juve, vetëm pamflet të shkruar në dokument. Reformat që ka ndërmarrë kjo mazhorancë janë realizuar. Ke reformën në arsim, në drejtësi, në fushën e sigurisë. Në fushën e sigurisë janë krijuar akte të tilla ligjore që e kanë bërë ushtrinë tonë jo vetëm thjesht formalisht në NATO, por ushtri me standarde bashkëkohore që ka sjellë besim të lartë te aleatët tanë, sidomos SHBA që na ka besuar bazën në Kuçovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos