SPAK ka përgjysmuar masat e sigurisë dhe qeveria beson se ky është një reflektim ndaj rekomandimeve të saj për vitin 2025. Ekzekutivi i kishte kërkuar Prokurorisë, vitin e kaluar, që të tregonte kujdes në respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, si dhe të ushtronte përmbajtje në kërkesat për masa sigurie personale, me qëllim që "arresti me burg" apo "arresti shtëpiak" të konsideroheshin vetëm në raste ekstreme.
Në bazë të raportit për vitin 2025, që Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Kuvendit, reduktimi ka qenë i ndjeshëm.
Nga Prokuroria e Posaçme, për vitin 2025, konstatohet një ulje e ndjeshme e përdorimit të masës së arrestit me burg, nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste në vitin 2025, që përfaqëson një reduktim prej rreth 53.4%, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme dhe proporcionale në aplikimin e masave më kufizuese të lirisë, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.
Ministria e Drejtësisë, raporti për Kuvendin
E njëjta prirje vihet re edhe sa i përket kërkesave për "arrest shtëpiak".
Po ashtu, në vitin 2025 vërehet një ulje e përdorimit të masës së arrestit në shtëpi, nga 46 raste në vitin 2024 në 29 raste në vitin 2025, ose një ulje me 37%, duke reflektuar një vlerësim më të individualizuar të nevojës për masa kufizuese të lirisë dhe një orientim më të madh drejt masave alternative më pak restriktive, në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Ministria e Drejtësisë, raporti për Kuvendin
Sipas dikasterit të drejtuar nga Toni Gogu, SPAK ka respektuar standardet ndërkombëtare.
Në lidhje me masat e sigurisë, SPAK ka aplikuar një politikë penale në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu, për sa i përket llojit të kërkesave për masa sigurie, rezulton se numri i të paraburgosurve nga SPAK që ndodhen pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale përbën rreth 12% të totalit. Ndërkohë, numri i të burgosurve që janë dënuar me vuajtje dënimi me burg si rezultat i hetimeve të SPAK përbën rreth 11% të numrit të përgjithshëm të tyre.
Ministria e Drejtësisë, raporti për Kuvendin
Lidhur me luftën kundër korrupsionit, qeveria vëren se SPAK ka rritur performancën, duke shtuar numrin e procedimeve penale me gati 10%.
Kjo vihet re veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta, ku regjistrimi i çështjeve apo hetimeve të reja është rritur me gati 18%, ndërsa numri i çështjeve të përfunduara është rritur me mbi 12%. (A2 Televizion)