Me arsyetimin e se të gjithë shqiptarët duhet të kenë të drejtë që të votojnë në 11 maj, Partia Demokratike propozon një amendament për të lejuar regjistrimin edhe të emigrantëve që nuk kanë një dokument identifikimi të lëshuar nga shteti shqiptar, por mund ta bëjnë këtë përmes letërnjoftimit të vendit ku jetojnë dhe punojnë, shkruan A2 CNN.
Nënkryetar i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, në një konferencë për mediat teksa sqaruan pse janë të nevojshme këto ndryshime, pohuan se qeveria duhet të lëvizë me urgjencë pasi koha nuk premton. “Situata është e rëndë, qeveria e di, ajo i ka të dhënat, nuk i bën publike që ta fsheh këtë fakt. Nuk merr hapa që duhej bërë që në 11 Janar për të garantuar sigurinë për të gjithë zgjedhësit”, tha ai.
Për demokratët lejimi i regjistrimit dhe votimit të të gjithë qytetarëve me dokument të skaduar apo vetëm me mjet identifikimi të shteteve të tjera, është prioritet, por kur pyeten nëse kjo kërkesë e tyre është kusht nuk japin një përgjigje të prerë.
“Nëse nuk do të ishte kush i rëndësishëm për ne, do të kishim firmosur një amendament me zgjidhje thjesht teknike. Për shkak se kjo është një çështje thelbësore, do të jetë çështja parësore në këto dy javë të mbetura, derisa sa Parlamentit t’i mbushet koha për të votuar. Keni besoj hapësirë dhe mundësinë që të zbërtheni arsyet pse PS dhe Rama thonë jo”, tha nënkryetari i PD.
Propozimi nuk është pjesë e draftit të dakordësuar me ndërmjetësimin e KQZ, por Bylykbashi paralajmëron se në rast refuzimi do të jetë një shkak më shumë për të kontenstuar rezultatin zgjedhor. “Të paktën të gjithë duhet të dinë se shqiptarë kërkuan të drejtën e votës dhe sa shqiptarëve iu mohua. Kjo mund të jetë një çështje shumë e madhe në Gjykatën Kushtetuese. Dhe çdo përpjekje në nivelin e rregullatorit është porosi politike e PS, për të mos lejuar të dalin lakrat e këtij qëndrimi që është në kundërshtim me të drejtën kushtetuese të shqiptarëve”.
Ndryshimet e dakordësuara dhe amendamenti i Partisë Demokratike në Kodin Zgjedhor pritet të diskutohet në seancën plenare të 13 shkurtit. (A2 Televizion)