Alfred Muharremi, këshilltar i Partisë Socialiste, e komentoi ashpër protestën qytetare që është tashmë në ditën e dhjetë të saj.
“Qeverisja socialiste ka shumë problematika, që ende nuk janë zgjidhur, për këtë arsye e kërkoi kontratën me qytetarët në 11 maj. Por, në protestë ka klane politike, duke nisur nga këto partiçkat që u duket sikur po marrin kredo politike nga kjo protestë dhe kujtojnë se do jenë liderët e ardhshëm, që dalin tani me sloganin “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Ky burgu ka qenë në kohën kur burgoseshin njerëzit politikisht, ka ikur ajo kohë. Me qeverinë socialiste sot kemi një Reformë në Drejtësi të pavarur. Këta thonë “Rama n’burg”. Çfarë ka shitur Rama? Çfarë u ka tradhëtuar Rama këtyre? Sytë që t’u dalin! Flas kështu sepse kanë 5 ditë që merren me familjen time sepse unë kam mendim ndryshe”, tha Muharremi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Jemi e vetmja forcë politike që ka treguar se është realizuar çdo kërkesë e qytetarëve. Kemi bërë moratoriumin e gjuetisë, për zonat e mbrojtura… Asnjë protestues nuk është prekur. Nuk u thua dot socialistëve “shisni vendin”, shtoi Muharremi. (A2 Televizion)