Pasi një jave me përkushtim të plotë në stërvitje, dy miqësore e disa udhëtimeve, djemtë kuqezi u lanë pushim të dielën nga stafi i Kombëtares në Gjermani.
Federata është kujdesur të ndajë me tifozët detaje sesi lojtarët e Shqipërisë kanë kaluar një të diel ndryshe në kompleksin Kaiserau, aty ku do të qëndrojnë deri në fund të aventurës Euro 2024.
Në pamjet e publikuara nga FSHF lojtarë shfaqen teksa tregojnë se dinë të luajnë edhe sporte të tjera. Jasir Asani, snajperi kuqezi, tregon precizion edhe në bilardo, ndërsa Daku e Hoxha shfaqin elegancën dhe reflekset në ping-pong.
Më pas, të gjithë, lojtarë bashkë me stafin, por edhe presidenti Duka janë bërë bashkë për t’i uruar ditëlindjen njërit nga pjesëtarët e stafit. Zëvendëstrajneri, argjentinasi Pablo Zabaleta është kujdesur për skarën. (A2 Televizion)