Nisin përgatitjet anti-Itali, stërvitja kthehet në "festë”, tifozët nuk e braktisin Kombëtaren as në shi

Nga A2 CNN
10 Qershor 2024, 22:12 | Live Euro 2024

E diela e qetë për kuqezinjtë, të cilët u lanë pushim nga tekniku Silvinjo dhe stafi i kombëtares, është pasuar nga dy seanca stërvitore përgjatë së hënës, të realizuara në ora 11:00 dhe 17:00.

Në qendrën sportive në Kaiserau, stërvitja e pasdites e kombëtares është realizuar e hapur për tifozët dhe të shumtë kanë qenë ata që kanë ndjekur 26 djemtë që përgatiten maksimalisht për sfidën e parë me Italinë, që do të luhet të shtunën e 15 qershorit, në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Pavarësisht se kushtet atmosferike nuk ishin favorizuese, tifozët shqiptarë ishin të shumtë dhe qëndruan deri në fund për të ndjekur nga afër stërvitjen e kuqezinjve nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Nga FSHF bëjnë me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë stërvitur normalisht.

Në këtë seancë të hapur stërvitore ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen. Presidenti i FSHF-së Armand Duka, falënderoi bashkinë e Kamen për mikpritjen dhe theksoi se të gjithë bashkë do të bëjnë të pamundurën për të qenë një vlerë e shtuar në Europianin “Gjermani 2024”.

Faleminderit bashkisë për pritjen dhe gjithë mbështetjen që na ka dhënë në organizimin e këtij grumbullimi. Të gjithë djemtë iu falënderojnë ju dhe çdo njeri që ka bërë maksimumin për pritjen e tyre këtu. Në emër të tyre unë ju garantoj që do të japim më të mirën për të qenë një vlerë e shtuar për Kampionatin Europian në Gjermani. Unë i ftoj edhe njëherë djemtë dhe uroj që ta shijojnë këtë Kampionat Europian, ta shijojnë mundin e djersës së tyre që kanë arritur deri këtu, për ne është historike. Këto janë djemtë që të gjithë shqiptarët i kanë bërë krenarë dhe çfarëdo që të bëjnë në Europian, çfarëdo rezultati që të marrin ne do të jemi krenarë për to, do t’i përqafojmë dhe përshëndesim në çdo moment. Faleminderit shumë të gjithëve dhe nder për mua që në emër të djemve do të vendosim një shënim në librin e artë të komunës. Faleminderit dhe stërvitje të mbarë”, tha Duka.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu