10 vite burg për “Escobar”-in e Ballkanit

Kelmend Balili është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe është dënuar me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të kryejë vetëm 10 vite, në një burg të sigurisë së lartë. Vendimi u mor pasditen e kësaj të marte, pasi seanca ishte shtyrë tri herë më parë.

Prokuroria kishte kërkuar 18 vite burg për të ashtuquajturin “Escobar” të Ballkanit, që automatikisht bëheshin 12 vite për shkak se ndaj tij u pranua gjykimi i shkurtuar. Për shkak të kësaj, Prokuroria pritet ta apelojë vendimin në shkallën e dytë, por me shumë gjasa të njëjtën gjë do të bëjë edhe Balili, i cili i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Avokati i tij, Theodhori Sollaku kërkoi rrëzimin e akuzave, duke i cilësuar si të pambështetura në prova. Të pranishëm në Gjykatë ishin edhe familjarë të Balilit, si dhe një përfaqësi nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Seanca për vendimin përfundimtar është shtyrë disa herë për shkak se mungonte kryesisht avokati i tij, Theodhori Sollaku, ndërsa në një rast as vetë i pandehuri, duke pretenduar se kishte probleme shëndetësore.

Shkarkoni aplikacionin e A2