“100 vite kryeqytet”, arkivat tregojnë ngjarjet kyçe të jetës së metropolit

Momente kyçe të jetës politike së kryeqytetit në 100 vite, zhvillimin e tij urban, por edhe atë politik, mund ta gjeni të ekspozuar në muret e arkivit qendror të shtetit.
Mos mendoni se janë thjesht imazhet e një ndërtese në rikonstruksion, por ndaloni dhe lexoni sepse ato janë dokumentet dhe fotografitë e Tiranës të nxjerra nga fondi i arkivit, për ta njohur më shumë kryeqytetin.
“Jemi jashtë muret të Arkivit. Qëllimi i kësaj ekspozite është pikërisht që ta shohin kalimtarët. Në çdo muaj do të risjellim nga një ekspozitë”, thotë Elsa Saka, drejtoresha e Komunikimit.
Në këtë ekspozitë që mund ta vizitoni në çdo orë të ditës, gjejmë foto të kryetarëve të bashkisë së Tiranës, të godinave më domethënëse të kryeqytetit ndër vite, por edhe vendime që kanë pasur rëndësi në jetën pulitke dhe ekonomike të Tiranës.
“Stenda e parë lidhet me memorandumin e ndërtimit të kryeqytetit në 1924 , harta e ligjeve të Tiranës, dhe përfundon me stendën e fundit që lidhet me kryeqytetin sot” , shpjegon Saka.
Kjo ekspozitë vjen me një qasje tjetër, për shkak të kushteve të vështira që pandemia ka mbërthyer kulturën, por ashtu sikurse çdo ekspozitë e këtij institucioni mban të njëjtin mision, të afrojë jo vetëm publikun e dedikuar, si studiuesit apo studentëve, por po ashtu edhe kalimtarët e thjeshtë.