Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

100 vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Biden e Bush mesazh shqiptarëve, Rama thumbon “non-gratat”

Nga A2 CNN
28 Korrik 2022, 15:15 | Aktualitet
100 vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Biden e Bush mesazh

Kremtimi i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri u përshëndet nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Nëpërmjet një videomesazhi, ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë, ndërsa ju vijoni të vijoni punën për të forcuar institucionet demokratike, luftoni korrupsionin, forconi shtetin e së drejtës dhe të plotësoni rrugëtimin tuaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Biden.

Urata nuk mungoi as nga George Bush. Ish-Presidenti amerikan kishte dërguar një letër e cila u lexua nga ambasadorja Kim. “Shpirti shqiptar që kurrë nuk resht së përpjekuri për liri dhe tradita juaj e besës për t’i shtrirë dorën e ndihmës njerëzve në nevojë janë vlera të cilat do të bëhen shembuj për të tjerët. Shqipëria është një forcë e së mirës në botë dhe SHBA janë krenarë që ju quajnë mike dhe aleate”, tha Bush.

Mes te ftuarve në ceremoni ishte edhe ish-Presidenti Ilir Meta. Pas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve se i kishte gjetur emrin në dokumentet e ish-Sigurimit, një mesazh për rivalin politik duket se e kishte edhe kreu i Qeverisë. “Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara”, tha Rama.

https://a2news.com/2022/07/28/ndryshojme-rajonin-me-ballkanin-e-hapur-rama-shqiperia-baza-politike-e-shba-fiks-ajo-qe-enver-hoxha-luftoi-50-vjet-te-mos-ndodhte/

Të ftuar nuk ishin as Sali Berisha, as deputetët pranë tij, por Kryeministri u kujdes të mos e harronte, ndonëse edhe në këtë rast pa përmendur emra.  “Edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA-së, siç është mllefi dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën. S’ka dot këtu një burrë që ia thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sy ato që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit”.

Një batutë nuk ua kurseu as protagonizmit të diplomatëve amerikanë. “Kjo është një marrëdhënie e pazëvendësueshme strategjike dhe arsyet pse ne duhet ta durojmë me buzëqeshje, madje dhe me kënaqësinë, protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri”.

https://a2news.com/2022/07/28/100-vjetori-i-marredhenieve-diplomatike-mesazhi-i-joe-biden-per-shqiperine/

Rama u shpreh i bindur se falë bashkëpunimit me SHBA-të, i gjithë rajoni do të ndryshojë edhe nëpërmjet nismës Ballkani i Hapur. “Natyrisht që, do të vazhdojmë të përballemi me forca që duan ta mbrojnë edhe Ballkanin, edhe Kosovën nga çartja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë