Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

4 vite burg për 4 të vrarë, kalvari gjyqësor i 21 janarit

Nga A2 CNN
21 Janar 2020, 15:46 | Aktualitet
4 vite burg për 4 të vrarë, kalvari gjyqësor i 21 janarit

Drejtësia shqiptare ka dhënë 4 vite burg në total për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. A2 risjell kalvarin e dosjes “21 janari” nga hetimi i parë dhe i fundit i ngjarjes, deri tek premtimi qeveritar i vitit 2017 për rihapje te çështjes.

Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012. Gjatë seancave me interes të lartë publik u shqyrtuan qindra prova shkencore, u këqyrën pamjet filmike, u analizuan akt-ekspertime mjeko-ligjore dhe balistike, përfshi ekspertime të kryera nga FBI-ja amerikane. Mes dëshmive u dëgjuan edhe ato të disa deputetëve të Partisë Socialiste, pjesëmarrës në demonstratën e dhunshme.

Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumetet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm. Togat e zeza arsyetuan se hetimi nuk ishte i gjithanshëm dhe se të pandehurit nuk kishin njohje me viktimat dhe as dinin pozicionin e tyre në demonstratë.

Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”. Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.

https://a2news.com/2020/01/21/9-vite-nga-21-janari-vajza-e-ziver-veizit-kam-ende-besim-te-spak/

Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve. Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg. Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.   

Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, e argumentuar me ngarkesën në gjykatë, një Kolegj Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.

Paralelisht me procesin penal, familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku familjarët e viktimave pretenduan mungesën e një hetimi efektiv të 21 janarit. Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.

https://a2news.com/2020/01/21/perkujtohet-21-janari-ndreu-kush-ka-fature-per-te-lare-nuk-shpeton/

Më herët, në janar të atij viti, qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave, në zbatim të çështjeve të fituara prej tyre në gjykatë. Duke e vënë zyrtarisht në dijeni për këtë fakt Strasburgun, qeveria shqiptare shprehte gatishmërinë për të rihapur dosjen. Pasi konstatoi dhe dakordësinë e familjarëve të viktimave, Strasburgu zgjidhi çështjen me pajtim. Ndërsa palët ranë dakord atëkohë, ajo që nuk ka ndodhur është rihapja e dosjes “21 janari”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani