5 janari me masa të tjera, Tomini: Për festa u shkelën rregullat, pritet rritje e rasteve

Përfundimi i festave të fundvitit rikthen masat e tjera kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Nga 5 janari lëvizjet e qytetarëve, aktivitetet e ndryshme dhe bizneset do të mbyllen 2 orë më vonë se në periudhën gjatë festave.
Kopshtet dhe çerdhet i rikthehen aktivitetit te tyre, ndërsa universitetet rifillojnë mësimin online.
Nxënësit e shkollave 9-vjecare dhe te mesme do te rikthehen në klasa në 11 janar me mësimin e alternuar. Shefja e survejancës epidemiologjike, Eugena Tomini, tregon për A2 se situata aktuale është e qëndrueshme, por nuk është aspak optimiste për javët në vijim.
Një rritje e mundshme e rasteve sipas Tominit pritet të ndodhë pas 2 apo 3 javësh, për shkak të festimeve dhe grumbullimeve të qytetarëve në zona të caktuara të vendit.
Pavarësisht rekomandimeve te strukturave shëndetësore, grumbullime ka pasur dhe parashikimet shohin një trend në rritje të rasteve me COVID. Sidoqoftë, mbetemi në kuadrin e parashikimeve, për të vlerësuar situatë në mënyrë dinamike”, deklaroi Tomini.
Edhe pse 2020-ën e lamë pas, koronavirusi nuk ka ikur. Përfaqësuesja e komitetit të ekspertëve iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse.