Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

60 vjet debat presidencial, përballjet televizive nga Kennedy ndaj Nixon tek Trump kundër Biden

Nga A2 CNN
2 Tetor 2020, 21:06 | Aktualitet
60 vjet debat presidencial, përballjet televizive nga Kennedy ndaj Nixon

Presidenti amerikan Donald Trump dhe demokrati Joe Biden u përballën në debatin e parë presidencial, pjesë e një tradite tashmë 60-vjeçare, që ka shënjuar disa momente të paharrueshme në historinë moderne të politikës amerikane.

Debati i parë televiziv mes dy kandidatëve në garën presidenciale ka qënë ai i vitit 1960, mes demokratit John F. Kennedy kundër zv.presidentit republikan Richard Nixon, ky i fundit sapo kish lënë spitalin dhe para debatit, kishte refuzuar make up-in. 70 milionë ndjekësit e këtij debati, u fokusuan tek ajo që panë e jo ajo që dëgjuan. Kennedy i fitoi zgjedhjet.

Në vitin 1976, debatin e parë televiziv në 16 vite, demokrati Jimmy Carter u përball me presidentin në detyrë, republikanin Gerald Ford. Ford bëri gabimin që i kushtoi shtrenjtë.

“Nuk ka dominim sovjetik në Europën Lindore dhe nuk do të ketë kurrë nën administratën Ford”, tha republikani Ford.

Ndërsa Jimmy Carter u përgjigje: “Dua shumë të shoh z.Ford të bindë amerikano-polakët dhe amerikano-çekët dhe amerikano-hungarezët në këtë vend se ato vende nuk jetojnë nën dominimin dhe mbikqyrjen e Bashkimit Sovjetik, nën perden e hekurt”. Carter fitoi zgjedhjet.

Një tjetër moment i paharrueshëm ishte ai i vitit 1984, kur presidenti Ronald Reagan, 73 vjeç, arriti të fitojë falë moshës dhe pjekurisë së tij dhe kjo falë gabimit të rivalit demokrat Walter Mondale, 56 vjeç, i cili tha:

“Dua që ta dish se nuk do ta shfrytëzoj moshën tënde për fushatë. Nuk do ta përdor për qëllime politike, kundërshtari im i vjetër dhe me eksperiencë”. Dhe Reagan u rizgjodh.

Teksa disa diskutojnë rëndësinë e një debati presidencial televiziv, nisur 6 dekada më parë, Eric Schnure, profesor në Universitetin Amerikan dhe ish shkrues i fjalimeve në Shtëpinë e Bardhë, thotë se ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.

"Rëndësia e debateve, në të vërtetë, varet nga kë pyet. Ndaj, disa thonë që ato nuk kanë rëndësi ditën e zgjedhjeve, duke marrë parasysh faktin që Hillary Clinton fitoi 3 debate presidenciale, por humbi zgjedhjet. Apo faktin që Joe Biden nuk doli mirë në debatet brenda parties, por fitoi nominimin e saj. Por nuk gaboj kur them se kanë rëndësi. Janë ndër ato momentet kur rruga ndahet ngushtë, pas një fushate të gjatë dhe çdokush mund të shohë dy kandidatë bashkë në skenë dhe t’i masë ata njëri kundrejt tjetrit”, shpjegon profesori Schnure.

Sipas tij, sfida që demokrati Joe Biden ka tashmë është përballja me Donald Trump edhe në këto javë të fundit dhe ai duhet të ketë frikë pasi Trump është një sulmues i ashpër.

“Ai është shumë më i çlirët se kandidatët tradicionalë. Disa thonë se ai sheh vetëm përpara ndërsa të tjerët thonë se ai i bullizon rivalët, me çdo mënyrë. Dhe unë nuk mendoj se ai do të ndryshojë nga ajo çka bëri në 2016-ën. Ose ndoshta është bërë më i fortë. Dhe kjo do të jetë sfida e vërtetë për Joe Biden. Me Trump nuk mund të flasësh me nënkuptime. Ajo çka Biden duhet të llogarisë është: Ji i qetë, i fortë dhe vetëm mblidh. Nuk është e lehtë. Kjo është e vërtetë, por vetëm kështu mund ta shmangësh kaosin”, shton profesori.

Debati i parë mes Trump dhe demokrates Hillary Clinton në 2016 u ndoq live nga 84 milionë shikues amerikanë, një rekord historik ky për një debat televiziv, për çdo moshë. Fyerjet personale dominuan më pas debatin e dytë, me Clinton që ngacmoi Trump për historinë e tij agresive me gratë dhe marrëdhëniet seksuale. Trump u kundërpërgjigj me kritika, duke akuzuar bashkëshortin e saj Bill, se me gratë ishte sjellë edhe më keq. Në librin e publikuar në 2017, Clinton tha se gjatë debatit të dytë me Trump, ishte acaruar aq keq sa pas skene kishte nisur të kruhej aq sa lëkura i ishte enjtur shumë dhe ishte skuqur. Në debatin e tretë, Trump e quajti Clinton një grua të ndyrë dhe refuzoi të thonte nëse do ta pranonte apo jo, rezultatin e zgjedhjeve.

Schnure, i cili më herët ka ndihmuar Al Gore dhe Joe Lieberman me përgatitjet pikërisht për debatet televizive, thotë se ndonjëherë kandidatët punojnë shumë për të krijuar këto momente, por i bëjnë ato autentike, që të mbahen mend në histori.

“Thuaje që nuk është kështu, Joe. Ja ku jemi, humbe disa pikë, zgjodhe që komenti yt i vetëm të ishte “administrata Bush”. Jo jo, le të shohim përpara, thuaji amerikanë çfarë ke planifikuar për ta në të ardhmen”, tha në një debat Sarah Palin.

“Joe Biden është i mirë. Çfarë dimë për të? Është një person i këndshëm, miqësor, i respektueshëm dhe ka shumë eksperiencë. Zakonisht bazohet tek faktet. Mendoj se administrata Trump e zbuloi këtë fakt rreth Biden, pas fjalimit të tij të fuqishëm gjatë konventës. Kjo e bën Biden të rrezikshëm në garë. Ndaj edhe fjalimet e Trump ditët e fundit kanë ndryshuar dhe vetë ai e pranon se Biden është një debatues i mirë”, shkon më tej profesori Schnure.

Në debatin e tij të dytë me presidentin Barack Obama, Mitt Romney, iu përgjigj një pyetje për barazinë gjinore, ku kandidateve femra për një post në kabinetin qeverisës, e quajti “Lidhje plot me femra”. Fraza u bë menjëherë meme në rrjetet sociale, aq sa në Facebook u krijua menjëherë një grup kundër Romney, i quajtur “Obama fitoi sërish”.

“Mendoj se guvernatori Romney nuk ka kaluar shumë kohë për të parë ushtrinë tonë. Përmendët marinën si shembull dhe faktin se kemi më pak anije nga sa kishim në 1916. Epo, guvernator, kemi edhe më pak kuaj dhe bajoneta sepse natyra e ushtrisë ka ndryshuar. Sot kemi ato që quhen anije avion-mbajtëse. Kemi anije që lundrojnë nën ujë. Ndaj, përgjigjia ime nuk është një lojë për anije luftarake”, deklaroi ish presidenti Obama.

Ndërsa Mitt Romney u shpreh: “E patëm të vështirë të dalim e të gjejmë gra, që kanë një kualifikim aq të mirë, sa për t’u bërë anëtare të kabinetit tonë. Shkuam edhe në disa grupe grash dhe iu thamë, na ndihmoni dot? Dhe ja ku I solla një lidhje plot me gra”.

“Nuk  e di nëse për Biden, fitorja nënkupton të njëjtën gjë si për Trump. Trump kërkon fitoren me çdo kusht dhe thotë se nëse nuk fiton, nuk do ta pranojë rezultatin. Për Trumpin, mbështetësit e Trump votojnë verbërisht për të. Ndërsa ata që do votojnë për Biden, do votojnë pro tij dhe kundër Trumpit. Biden do të duhet t’u japë mbështetësve shpresën se në javën e parë të nëntorit, do të fitojnë”, përfundon profesori amerikan.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani