Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

“Absolut 4”: Dita e drejtësisë dhe krimet zgjedhore!

Nga A2 CNN
10 Maj 2021, 22:06 | Aktualitet
“Absolut 4”: Dita e drejtësisë dhe krimet zgjedhore!

Reforma në drejtësi, Skëndaj: Vështirësi në gjetjen e personave që plotësonin kriteret

Në emisionin Absolut 4 kushtuar Ditës së Drejtësisë u diskutua në lidhje dhe me reformën në drejtësi në vendin tonë, zbatimin e saj dhe sfidat që ajo hasi gjatë implementimin e saj.

Për Erida Skëndajn, drejtuese ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit është ende shumë e vështirë të bësh një bilanc se sa drejtësi ka sot Shqipëria.

Sipas saj, gjatë zbatimit të reformës së re pati vonesa në ngritjen e institucioneve si dhe kritere shumë të forta për plotësimin e vendeve vakante.

“Është shumë e vështirë të përgjigjesh sa drejtësi kemi sot, mbasi Shqipëria ndërmori një reformë të thellë me krijimin dhe të institucioneve të reja, me një proces vetingu. Kuptohet që kur bën një bilanc nuk është e lehtë. Ka shumë mendime dhe në komunitetin e juristëve. Mendoj që paralelisht me rezultatet e vettingut ka pasur shumë sfida. Ngritja e institucioneve nuk u bë brenda afateve dhe kjo solli vështirësi. Vështirësi pati dhe për ngritjen e ILD dhe SPAK, i cili më së fundi është plotësuar. Ky ishte një problem që nuk mendohej në sistemin e ri të drejtësisë dhe që solli vonesa. Ka pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve që plotësonin të gjitha kriteret”, tha Skëndaj.

Daci në “Absolut 4″: Do bëjnë një Gjykatë Apeli për të gjithë Shqipërinë, KLGJ nuk e ka bërë publike

Juristi Jordan Daci deklaroi në “Absolut 4” se është vendosur që të ketë një Gjykatë Apeli për të gjithë Shqipërinë, por KLGJ ende nuk e ka bërë publike vendimin.

Daci vë në dukje mungesat e gjyqtarëve të apelit, kundrejt numrit të madh të çështjeve që janë për tu gjykuar.

“S’kemi Gjykata Apeli. Tashmë është marrë vendimi që do bëjnë një Gjykatë Apeli për të gjithë Shqipërinë por nuk e bëjnë publike këta të KLGJ-së së famshme. E bëmë një eksperiment me Gjykatën Administrative të Apelit dhe e dimë në çfarë gjendje jemi. Nga 45 ditë që thotë ligji, minimumi është 4-5vjet.

Kjo bëhet thjeshtë për të gënjyer shqiptarët që po bëjmë gjykata meqënëse se nuk kanë gjyqtarë për një pjesë të madhe të gjykatave. Imagjino 75 gjyqtarë duhet të ketë vetëm organika e Tiranës, kishte 35, gjysmën kishte por sot ka 8. Gjithë gjykatat e Shqipërisë kanë gjithsej 20 gjyqtarë apeli. Numri i çështjeve që shkojnë në gjykatën e apelit shkon në 200 mijë çështje në vit. Se kush do i gjykojë, se si do i gjykojë…”, u shpreh Daci në A2.

Jordan Daci: Janë larguar disa gjyqtarë që nuk e meritonin dhe kanë mbetur disa matufë

Akuza të ashpra ka lëshuar juristi Jordan Daci në lidhje mes zbatimin e reformës në drejtësi dhe ndryshimet që po bëhen me institucionet e reja.

Daci deklaroi se nga sistemi i drejtësisë janë larguar disa gjyqtarë e prokurorë që nuk e meritonin dhe kanë qëndruar disa të tjerë që sipas tij nuk dinë të shkruajnë as shqip.

“Nuk kanë gjyqtarë për një pjesë të madhe të gjykatave. 75 gjyqtarë duhet të ketë në organikë vetëm Gjykata e Apelit të Tiranës, sot ka 8. Pothuajse të gjitha vendimit e shkallës së parë shkojnë në Apel dhe mund të flasim për 200 mijë çështje në vit. Se kush do i gjykojë se si do i gjykojnë nuk e di.

Ne me të vërtetë kemi thënë që duam reformë në drejtësi, por duhet të jemi realistë. Unë kam kritika të rënda ndaj disa gjyqtarëve, por mos të harrojmë një pjesë e gjyqtarëve që janë larguar, nuk duhet të ishin larguar dhe kanë mbetur në sistem disa matufë, në disa raste konkrete, që nuk dinë të shkruajnë shqip dhe që kanë përfunduar dhe në SPAK”, u shpreh Daci.

Juristi: Reforma e thellë në drejtësi, e gabuar, korrupsioni nuk mund të luftohet sot për nesër

Juristi Elis Bilali, i ftuar në Absolut 4 në ditën e drejtësisë, komentoi reformën në gjyqësor. Ai u shpreh se reforma e thellë është e gabuar, pasi sipas tij, sistemi i krijuar ka shumë problematika. Juristi parashikon që mbyllja e reformës mund të zgjasë edhe 10 vite.

“Jam kundër reformimeve të thella, por pro përmirësimeve të sistemeve. Në fillim duhet të bëhej një analizë e hollësishme në lidhje me mundësitë reformuese. Korrupsioni është një fenomen në shoqërinë shqiptare dhe është një fenomen që do të luftohet me ndërgjegjësimin e shoqërisë, nuk është një fenomen që mund të luftohet sot për nesër. Korrupsioni e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare edhe në komunizëm. Lufta ndaj korrupsionit mund të bëhej edhe në forma të tjera.

Unë besoj se sistemi gjyqësor kishte krijuar një pavarësi para nisjes së reformës. Para reformës në drejtësi ndjehej një pavarësi ndaj politikës, sigurisht që korrupsioni ishte fenomen, por ekzistonin mundësitë që të evidentoheshin këtë gjyqtarë që ndikonin edhe në imazhin e gjyqësorit.

Ka 5 vite që ka nisur reforma në drejtësi dhe për mua do të duhen edhe 10 vite për ta përfunduar. Sistemi që është krijuar sot është shumë problematik. Ne jemi akoma në një fazë tranzicioni dhe pjesa më e madhe e qytetarëve janë në procese gjyqësore. Minimalisht duhet të ishin plotësuar vakancat në gjyqësor.

A2 CNN Livestream

Dita jonë