Aeroporti i Kukësit, pronarët e tokës: Shpronësimi me çmim qesharak – A2

Aeroporti i Kukësit, pronarët e tokës: Shpronësimi me çmim qesharak

Aeroporti i Kukësit prej një dekade, që nga dita që është përuruar në vitin 2010, nuk është hapur asnjë orë të vetme për të realizuar qëllimin për të cilin është ngritur.
I ndërtuar si dhuratë për popullin e Kukësit për mikpritjen ndaj vëllezërve kosovare gjatë luftës në Kosove, ky aeroport u pa e udhës që të zgjerohej më tej, por me gjithë premtimet e kryeministrit, punimet kanë ngecur prej shumë kohesh dhe dita e hapjes së këtij aeroporti duket ende larg.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, deklaron se dita e nisjes së punimeve nuk do të jetë e largët pasi bashkia i ka përmbushur detyrimet e veta dhe i ka pajisur të gjithë banorët me titullin e pronësisë për t’i hapur rrugë shpronësimeve.
“Aktualisht kemi përfunduar rreth 700 pronësi që janë të gatshme për banorët, domethënë qytetarët mund të aplikojnë të marrin pronësinë, dhe më pas do të fillojë shpronësimi i atyre tokave që do t’i duhen aeroportit”, thotë kryebashkiaku Gjici.
Por çmimi i shpronësimit, duket se do të jetë “thembra e Akilit” për këtë investim, pasi sipas banorëve është mjaft i ulët dhe i papranueshëm prej tyre.
“Një turp i madh, 200 lekë metri katror nuk është parë as në shkretëtirë, është qesharake”, thotë një nga banorët, kurse një tjetër sqaron se “çmimi i tregut këtu është rreth 2500 lekë metri katror, ne jemi shumë dakord të shpronësohemi, por me çmim tregu”.
Banorët janë shprehur se nëse shtetit do tua marrë me forcë tokat ata do t’i drejtohen gjykatave e deri në Strasburg për të kërkuar të drejtën e pronës së tyre.