Aldo Bumçi: Qeveria ka rënë, Cakaj mbështetej në teza sllavo-ruse

Aldo Bumci ka qenë ministri i Jashtëm që ka paraprirë të sapo shkarkuarin Ditmir Bushati. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike jep opinionin e tij, i ftuar në studiot e A2, për mos dekretimin e Gent Cakaj nga ana e presidentit Ilir Meta në vendin ku ai ka qenë titullar në vitin 2013.
Sipas Bumçit, edhe vetë analistet e së majtës mbështesin vendimin e presidentit për mos të dekretuar ministrin e Jashtëm. Edhe në Kosovë e njëjta gjë, në veçanti një person me “background diplomatik të rëndësishëm si Edita Tahiri”.
Për Bumçin, marrja e presidencës së OSBE-së nga Shqipëria gjatë këtij viti, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe sfida të tjera në rajon kërkojnë një profil institucional që të fillojë me “marshin e pestë, dhe jo duke njohur më parë njerëzit dhe procedurat”.
Problemi më i madh i kandidatit të kryeministrit Rama ka qenë pikërisht ajo e nënvizuara nga presidenti Meta, ideja e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, “ide që nuk është perëndimore dhe shqiptare, por ruso-serbe, e propozuar pa konsultim nga presidenti Thaçi dhe e miratuar në rajon vetëm nga Shqipëria e Edi Ramës”. Dhe ky, për Bumçin, është argument i qenësishëm për refuzimin e presidentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2