Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kallëzim në Prokurori ndaj Institutit të Ndërtimit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës përgjegjësit e Institutit të Ndërtimit që kanë përpiluar ekspertizën mbi godinën e Teatrit Kombëtar, ku u mbështet edhe vendimi i Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës që tashmë prej dy vitesh është në qendër të debateve.
Personat e kallëzuar janë inxhinierët Olsi Nunaj dhe Artur Hasantare si dhe arkitektja Elbarina Kola, që sipas kallëzuesit kanë kryer një ekspertim “fiktiv, i pabazuar në verifikime konkrete të gjendjes së Teatrit Kombëtar”.
Në raportin e Institutit të Ndërtimit shkruhej se “kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatëshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie”.
Ndërkohë, kallëzuesit pretendojnë qëkëto vlerësime janë “të pabazuara në verifikimet në terren. Ekspertët kanë marrë atribute që nuk i takojnë me ligj duke çuar Këshillin Bashkiak në një vendimmarrje të gabuar”.