Nga 3 dhjetori i vitit të kaluar e deri në ditët e sotme, në Urgjencën Kombëtare kanë telefonuar afro 300 mijë persona, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore, çka do të thotë mbi 1 000 telefonata në ditë.
Këto telefonata vijnë nga çdo skaj i Shqipërisë. Tashmë, të gjitha telefonatat në numrin 127 koordinohen në një qendër. Më pas, ekipet mjekësore nisen për të dhënë ndihmën e shpejtë.
Trafiku i rënduar e ngadalëson mbërritjen në kohë të autoambulancës. Nga Lapraka dhe deri në rrugën “Myslym Shyri”, një autoambulance iu desh afro 15 minuta për të mbërritur dhe kjo falë edhe ndërgjegjësimit të shoferëve, të cilët krijonin hapësira.
Specialistët vijojnë të apelojnë për lirimin e rrugëve që të çojnë drejt spitaleve, për të mundësuar mbërritjen në kohë të ambulancave.