Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Amnistia fiskale, Civici tregon anët pozitive dhe negative

Nga A2 CNN
6 Mars 2020, 10:49 | Ekonomi
Amnistia fiskale, Civici tregon anët pozitive dhe negative

Amnistitë fiskale, si ajo që ka paralajmëruar qeveria shqiptare, janë praktikë që ndiqen në shumë vende të botës, edhe vendet e zhvilluara. Por, sipas prof. dr. Adrian Civicit, ato duhet të kenë një qëllim final dhe pastaj përcaktohen detajet.

I ftuar në “Dita jonë”, Civici tha se qëllimi kryesor i amnistisë është që paratë informale të futen në ekonomi. Një tjetër arsye, sipas tij, mund të jetë fakti që një qeveri është në vështirësi buxhetore.

“Përafërsisht 40% e aktivitetit ekonomik, financiar, transaksioneve në Shqipëri, janë informale. Edhe ndryshimi i kursit të euros në raport me lekun, janë paratë informale që e kushtëzojnë. Këto nuk janë vetëm paratë e hashashit, por edhe ato që vijnë nga emigracioni”, tha Civici.

Por sa rrezik ka kjo amnisti që të bëhet një portë e legalizimit të parave të krimit?

“Të gjitha amnistitë kanë edhe përjashtimet ose kufizimet e tyre. Me sa është diskutuar deri tani është thënë një shprehje, që do të jetë një amnisti fiskale dhe penale. Në këtë amnisti përjashtohen paratë e politikanëve, krimit të pastër, prokurorëve apo gjyqtarëve. Pra bëhet fjalë për një pjesë të njerëzve që e kanë nisur biznesin në informalitet”, tha Civici. “Gjithmonë amnistitë fiskale kanë dy anë: anën e kontrollit dhe ndëshkimit, të nesërmen e përfundimit, por edhe anën e interesit të shumë aktorëve ekonomikë që të formalizohen”.

Sipas Civicit, amnistitë fiskale kanë një problem moral. “Sepse një pjesë e bizneseve që janë gjendur përballë konkurrencës së pandershme, tani përballen me faktin që pas kësaj amnistie janë të gjithë të barabartë. Këtu kërkohet edhe kompromisi i kësaj kategorie”, u shpreh ai. “Prandaj, nga eksperienca e vendeve të tjera, janë krijuar disa lehtësira fiskale për një ose dy vite për bizneset e rregullta, që në një farë mënyrë të balancohet efekti i amnistisë”.

Amnistia dhe politika

“Nëse amnistitë fiskale bëhen pjesë kryesisht të përdorura nga politika sipas cikleve elektorale për të marrë më shumë vota, në vend që të japin efekte pozitive, japin efekte negative”, tha Civici. “Sepse edhe ata që janë në ekonomi të ndershme, presin amnistinë e radhës. Prandaj duhen marrë masa që të nesërmen kur mbaron amnistia të jetë përmirësuar sistemi fiskal, dhe rritja e nivelit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Amnistia do të duhet të ketë edhe miratimin e opozitës, edhe pse ne kemi dy opozita, njëra brenda dhe tjetra jashtë parlamentit. Sepse nëse një krah tjetër politik vjen nesër në pushtet dhe thotë që nuk e njoh këtë amnisti, atëherë kjo krijon probleme”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani