Amnistia fiskale si vetting-u, si do të funksionojë njësia speciale brenda tatimeve?

Një Njësi Speciale në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, kjo do të jetë struktura kryesore që do të marrë përsipër zbatimin e amnistisë fiskale. Në mënyrë të ngjashme me strukturat e vetting-ut, detyrat e kësaj njësie nisin që nga mbledhja e formularit, tek verifikimi i fakteve dhe gjurmimi i çështjeve.

Plotësimi i formularëve për deklarimin e pasurive dhe të pasqyrave financiare do të bëhet në mënyrë vullnetare nga personat apo bizneset që duan të përfitojnë nga amnistia fiskale. Më pas, do të jetë Njësia Speciale që do të koordinohet për të verifikuar faktet me bankat dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Po ashtu, në proces do të përfshihet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe institucione të tjera, për të përjashtuar nga falja paratë e krimit të organizuar dhe terrorizmit.