Analiza e koronavirusit, A2 CNN në laboratorin ku dalin përgjigjet për COVID-19

Në këtë situatë epidemie, negativiteti merr një tjetër kuptim. E kur kjo thuhet nga mjeket është më shumë se urim. Por përballë këtij virusi askush nuk është imun dhe mes mijëra testeve të kryera mbi 800 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
A2 CNN pasi ka ndjekur punën e epidemiologeve në terren për kryerjen e tamponit ndaj rasteve të dyshuara, ka hyrë në laboratorin që analizon të gjitha mostrat e marra.
Laboratori i virologjisë në Institutin e shëndetit publik, i vetmi laborator kombëtar, pjese e survejancës laboratorike që kryen diagnostikimin e të gjitha sëmundjeve emergjente ku në këtë periudhe epidemie COVID-19 është prioritet.
Kjo është një zonë e sigurisë së lartë ku specialistët këtu dinë si të sillen ndaj viruseve. Respektojnë çdo masë mbrojtëse si dhe të gjitha protokollet e punës, jo vetëm në këtë epidemi. Pasi marrin në dorëzim mostrat që vijnë nga terreni, tamponët i nënshtrohen proceseve përkatëse.
Çdo mostër kalon në tre faza të ndryshme ku secila kryhet në dhoma të ndara më vete. Fillimisht shohim tamponin e një banori të Tiranës të dyshuar për COVID-19. Fillimisht ai duhet të bëhet inaktiv, për të mos infektuar stafin e laboratorit gjatë punës .
“Ky është një kabinet i sigurisë biologjike të nivelit të tretë, është i nevojshëm për inaktivizimin e gjithë patogjenëve. Në varësi të numrit të mostrave, procesi mund të marrë nga 30 deri në 45 minuta”, thotë specialistja virologe Iris Hasibra.
Pas procesit të parë, mostra kalon në një fazë tjetër dhe në një tjetër ambient, ku bëhet ekstraktimi i materialit gjenetik të virusit SARS-CoV-2, dhe në bazë të sekuencës ndërtohen edhe teknikat e identifikimit.
Do të duhen 6-8 orë që stafi të nxjerrë përgjigjen e analizave, ndërsa personat e dyshuar qëndrojnë në ankth për 24 orë. Por para kësaj mostra kalon një proces të fundit, ku vendoset materiali i përgatitur në një aparat specifik që analizon reagjentët. Pas një ore e gjysmë, rezultati detajohet në një figurë eksponenciale në kompjuter. Na tregohet një e tillë, e një pacienti që rezulton pozitiv.
Laboratori i virologjisë, i vetmi i certifikuar për analizën e COVID-19, përballon deri në 500 testime në 24 orë por deri tani nuk është arritur kjo shifër.
Specialistët thonë se nuk kanë mungesa reagjentësh dhe se analizohen të gjitha mostrat që vijnë nga terreni. Janë vetëm 6 punonjëse në këtë laborator që përballojnë fluksin e të gjitha rasteve që i nënshtrohen testimit për COVID-19 në territorin e vendit. Punojnë pa ndërprerje ashtu si pjesa tjetër e padukshme e kolegëve të tyre në këtë epidemi.