Arben Çejku: Vizita e Merkel, mesazh për pasardhësit e saj mbi rëndësinë e procesit të Berlinit

Ish-ambasadori Arben Ceku vlerëson vizitën e Angela Merkel në Tiranë, si një “amanet” për pasuesin e saj në rolin e kancelarit.
“Nuk ka asgjë rastësore për kancelaren e Gjermanisë, çdo lëvizje e saj ka domethënie të jashtëzakonshme, sidomos tani, që po i mbaron mandati. Fakti që ka shkuar në Beograd dhe Tiranë, do të thotë shumë për vëmendjen që Gjermania i kushton Ballkanit perëndimor. Ka një mesazh edhe për pasardhësit e saj, për ta parë procesin e Berlinit, një nga shtyllat e bashkëpunimit të Berlinit me Ballkanin Perëndimor, në gjithë seriozitetin e tij”, thotë ai.
Sipas diplomatit, kandidatët që janë për kancelarinë, do të vazhdojnë të ndjekin këtë marrëdhënie të zyrtarizuar pikërisht nga Merkel në 2014, por ku janë investuar edhe vende të tjera të BE por edhe nga Britania e Madhe.
Çejku cilëson atë proces si “ura më e sigurt që mund të mbajë të lidhur aspiratën e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian”, ndërkohë çdo iniciativë tjetër është e mirëpritur por deri kur të mos shkoi në konfrontim me atë proces.
“Open Ballkan është një rrugë më e ngushtë me vetëm 3 udhëtarë. Procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm, sepse gjithëpërfshirja është kryefjalë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit ishte një lloj para anëtarësimi për shkak të qasjes së saj konkrete nga ana ekonomike, edhe pse investimet në infrastrukturë janë të pamjaftueshme, ne bëjmë investime nga buxheti ndërkohë që mund të merrnin financime nga ky proces, siç ka bërë Serbia”, thotë Çejku për A2.