Arrestohet iraniani, dyshohet se përgjonte Muxhahedinët në Shqipëri

Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Hija” duke vënë në pranga një 45-vjeçar të huaj, për të cilin nuk u dha detaje të shumta. Sipas policisë, pas vlerësimit të situatës kriminale dhe parandalimit të përshkallëzimit të saj, 45-vjeçari akuzohet për “përgjimi të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, si dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Burime të sigurta pranë A2 thanë se 45-vjeçari është iranian ndërsa dyshohet se kishte arritur të hynte në sistemet kompjuterike duke përgjuar Muxhahedinët. Materiali hetimor, thotë policia, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se 45-vjeçari iranian, nëpërmjet veprimeve të ndryshme, kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.