“Asnjë vend s’ka përmbushur kushtet”. Merkel, pa datë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE-së për Ballkanin në Slloveni. Sipas saj, caktimi i një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga blloku i 27 vendeve. Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane theksoi gjithashtu se deri më tani nuk mund të ketë ndonjë pranim, sepse asnjë vend nuk ka plotësuar kushtet.