Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Atentati në “Don Bosko”, vëllai i Crrojit: U burgosëm në Francë për trafik qeniesh njerëzore

Nga A2 CNN
6 Janar 2022, 15:31 | Kronikë
Atentati në “Don Bosko”, vëllai i Crrojit: U burgosëm

Hetuesit kanë marrë në pyetje vëllain e Edmond Crrojit, një prej personave i cili mbeti i plagosur dy ditë më parë në atentatin në afërsi të Spitalit të Traumës.

Dyshimet e policisë janë se Crroji mund të jetë një prej shënjestrave të agresorëve të cilët qëlluan në drejtim të tavolinës ku po qëndronin 5 persona. Urim Crroji, i njohur ndryshe dhe si Andi Duka, ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ndërsa tregon detaje lidhur me të shkuarën e vëllait të tij: “Unë dhe Edmondi kemi bërë burg në Itali për lëndë narkotike dhe trafik qeniesh njerëzore në Francë. Në lidhje me viktimën, e di që ka biznes tabachino. Po ashtu, di që viktima dhe vëllai i tij Blerimi janë marrë me lëndë narkotike në Itali”. 

Një tjetër person i cili mbeti i plagosur është dhe Arben Dani, kushëri me Edmond Crrojin. Ai tha për hetuesit se pak para se të ndodhte ngjarja kishte shoqëruar bashkëshorten në punë dhe pasi ishte futur në lokal ku ishte dhe kushëriri i tij u dëgjuan krismat: “U plagosa në këmbë. U futa në banjo, ndërsa krismat nuk pushonin”.

19-vjeçari Selimaj tha se sapo dëgjoi krismat ishte shtrirë në tokë, ndërsa pronari i biznesit, Eneldian Aldushaj, u shpreh se për ngjarjen e kishte mësuar nga banakieri: “Më telefonoi banakieri dhe i thashë shiko kamerat. Viktima dhe të plagosurit vinin shpesh dhe kanë qenë një ditë ose dy ditë më parë në lokal”.

Dëshmitë e siguruara nga hetuesit tregojnë se atentati ndaj tyre ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa viktimat ndiqeshin prej disa ditësh. Makina e atentatorëve, një Benz E Class i zi me targa të vjedhura, u largua në drejtim të Laprakës, ndërsa policia nuk mundi të bjerë në gjurmët e tre personave që lëviznin me të.

Nga ana tjetër, celularët e të plagosurve janë dërguar për ekspertim, ndërsa policia i gjeti Edmond Crrojit 1650 euro dhe një bllok shënimesh, në të cilin janë shkruar disa shifra.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani