Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Avokatët: Shteti nuk mund të ndalojë hyrjen e shtetasve shqiptarë në vend

Nga A2 CNN
6 Prill 2020, 20:01 | Aktualitet
Avokatët: Shteti nuk mund të ndalojë hyrjen e shtetasve

Indiferentë për trajtimin e shtetasve shqiptarë në një prej doganave të tyre nuk kanë qëndruar dot as zërat e avokatisë shqiptare. Avokati Adriatik Lapaj pretendon se ka dhjetëra nene konventash për të drejtat e këtyre shtetasve shqiptarë që po shkelen.

“Është shkelur kuadri ligjor vendas dhe ai ndërkombëtar. Përcaktohet qartë e drejta e qytetarëve për të mos u ndaluar që të kthehen në vendin e tyre. Referuar të gjithë konventave, është e pamundur që t’i ndalohet kthimi në vendin e tyre. Ata kanë ardhur në derën e vendit të tyre dhe në këto kushte shteti nuk duhet ta mbajë derën mbyllur. Shteti duhet të marrë masat e karantinimit, por jo të ndalojë hyrjen e shtetasve të tij”, tha Lapaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2.

Ai shtoi se “po të ishin ministra, këta shtetas do të kishin hyrë”.

“Ministri i Jashtëm (Gent Cakaj) përcolli mjekët në Itali dhe u kthye në vend si zotëri, as nuk u karantinua. Këto nuk janë raste riatdhesimi. Edhe sikur të ishin të sëmurë, kush do t’i kurojë ata atje? Nuk mund të lihen në tokë neutrale”, theksoi Lapaj.

Sipas tij, “shteti të ngrejë një “task force” për të bërë analizat e personave të ndaluar në kufi”: “Nëse dalin negativë, të dërgohen në shtëpi dhe të karantinohen; nëse dalin pozitivë, të karantinohen në një godinë shtetërore”.

Ndërsa avokat Jordan Daci deklaroi: “Këta njerëz duhet të karantinohen patjetër, por e drejta e kthimit në vend nuk shkelet as në kohë lufte. Nuk mund t’i refuzohet hyrja edhe një personi pa shtetësi, jo më shtetasit tënd. Do i lëmë atje të vdesin? Liria e lëvizjes është e ndryshme nga e drejta e kthimit. Që kur është kryer koncepti i shtetit dhe shtetësisë, është përcaktuar se çfarë do të thotë të jetë shtetas dhe kush janë detyrimet e shtetit”.

Por, Daci shtoi: “Thënë këtë, kushdo që ka mundësi të qëndrojë jashtë shtetit, të mos kthehen në Shqipëri”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu