Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ballkani i Hapur merr formë: Në janar lehtësime në dogana, për 18 muaj nis lëvizja e lirë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2021, 15:58 | Politikë
Ballkani i Hapur merr formë: Në janar lehtësime në dogana,

Në vitin 2023 pritet të nisë lëvizja e lirë e njerëzve mes Serbisë-Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, tre vendet iniciuese të nismës Ballkani i Hapur. Ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që nga Beogradi dha lajmin, ku ndër të tjera shtoi se po punohet për të gjetur dakordësinë edhe për lirinë e punësimit.

“Njerëzit tanë, për 1 vit, 1 vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloji kufiri nga Beogradi në Tiranë, nga Tirana në Shkup”, deklaroi Vuçiç.

Ndërkohë që kryeministri Rama njoftoi se nga janari i vitit të ardhshëm pritet të nisë lehtësimi i procedurave doganore për lëvizjen e mallrave.

“Relaksim në kufi që në janar”, tha Rama.

Takimi i radhës është parashikuar të mbahet në fundin e muajt dhjetor në Tiranë dhe numri 2 i qeverisë së Shkupit paralajmëroi rezultate.

“Në takimin tonë në fund të dhjetorit në Tiranë duam të deklarojmë një sërë fitoresh, përfshirë edhe zgjidhje të problemeve që përmenda më parë. Sa më shumë fitore arrijmë së bashku aq më tërheqëse do të bëhet nisma për vendet e tjera të rajonit”, u shpreh zëvendëskryeministri maqedonas Dimitrov.

Ftesën për vendet skeptike e përsëritën edhe Rama e Vuçiç, por duke bërë të qartë se nuk detyrojnë askund t’i bashkohet nismës.

“Na thuhet që ja po presin ata. Pastaj thonë që nuk duam të bëhemi pjesë për shkak të Vuçiçit, për shkak të Ramës. Është OK, nuk e keni për detyrë, askush nuk po ju detyron”, tha presidenti serb.

“Procesi i Berlinit, nuk duam të jemi karikaturë e Komisionit Europian”, shtoi Rama

Dimitrov mohoi që zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut të sjellin largimin e Shkupit nga nisma e përbashkët rajonale.

“Jemi në një demokraci dhe është mëse e natyrshme që të ketë ndryshim të pushtetit, por vullneti i qytetarëve është i tillë që kushdo të vijë në detyrë do të duhet të ecë përpara, çka nënkupton se evropianizimi i vendit, forcimi i demokracisë dhe ekonomisë kërkon bashkëpunim më të ngushtë me fqinjët tanë. Kështu që nuk shoh ndonjë rrezik për të dalë jashtë”, theksoi Dimitrov.

Pas konferencës së përbashkët, kryeministri Rama pati një komunikim me gazetarët nga Shqipëria, ku A2CNN e pyeti sa do të ndihmonte ky proces shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ndikimi pozitiv i gjithë këtij ndërveprimi shtrihet pastaj në të gjitha shoqëritë dhe zbuten shumë gjëra, të cilat koha i ka ngurtësuar dhe i ka kthyer në nyje të dhimbshme”, u përgjigj kryeministri.

Rama nënvizoi se Open Balkan do të ndihmonte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që theksoi se kërkesa e faljes nga ana e Beogradit do t’i vinte kapakun konfliktit mes vendeve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë