Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Banka Botërore: Risqet në ekonomi të larta, mbroni të varfrit

Nga A2 CNN
21 Tetor 2021, 14:32 | Ekonomi

Banka Botërore rekomandon qeverinë shqiptare që të forcojë skemat e ndihmës ekonomike dhe të krijojë vende pune cilësore për të ulur varfërinë, që mbetet më e larta në rajon, me një nivel prej 30.8% për këtë vit. Kjo edhe për faktin se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike do të prekë veçanërisht këtë shtresë. Konstatimet u bënë gjatë prezantimit të Raportit Periodik Ekonomik për Ballkanin Perëndimor “Rimëkëmbje e gjelbër”.

Shqipëria do të shënojë këtë vit një rritje ekonomike prej 7.2%, e dyta më e lartë në rajon. Por kjo rritje është e varur nga ndërtimi dhe shërbimet, çka e bën të paqartë ecurinë e sektorëve të tjerë, por edhe krijimin e vendeve cilësore të punës. Vitin e ardhshëm rritja ekonomisë gati do të përgjysmohet, duke zbritur në 3.8%. Risqet në ekonomi mbeten të larta, nga kriza e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, borxhi i lartë dhe niveli i ulët i vaksinimit.

“Ekonomia shqiptare ka treguar rimëkëmbje me 7.2% rritje këtë vit, një nga nivelet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor. Është konstatuar rimëkëmbje graduale në tregun e punës, falë veprimtarisë në ndërtim dhe shërbime. Kjo nxjerr në pah faktin se ekonomia varet nga këta dy sektorë”, tha Emanuel Salinas, menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

Banka Botërore ka rekomanduar qeverinë shqiptare që të ulë borxhin publik, duke filluar nga viti i ardhshëm, teksa është shprehur kundër përjashtimeve fiskale, në përgjigje të opozitës që ka kërkuar uljen e TVSH për ushqimet.

A2 CNN Livestream

Dita jonë